0030 210 33 18 483

Katrougalos: "Shqipëria, sjellje që nuk përputhen me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë"?

TV TRIBUNA 07 Maj 2019

Ministri i jashtëm grek, Jorgos Katrougalos ka vërejtur se nga ana e Shqipërisë ka sjellje që nuk përputhen me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, por nuk ka dhënë detaje të tjera.

Katrougalos e bëri këtë deklaratë gjatë një interviste, ku u pyet edhe për heqjen e tabelave dygjuhëshe në fshatrat e zonës së minoritetit.

Katrougalos ka deklaruar se zgjerimi i ujërave territoriale në detin Jon, do të realizohet brenda kësaj vere, megjithëse ka shtuar që kjo varet edhe nga negociatat që po zhvillon Athina me Italinë dhe Shqipërinë.

“Më e mundshmja deri në verë... Natyrisht, kjo bashkërendohet edhe me negociatat që po vazhdojmë të bëjmë me Italinë dhe me Shqipërinë. Megjithëse me Shqipërinë kohët e fundit po shikojmë sjellje që nuk përputhen me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, tha Katrougalos gjatë një interviste në web radion News 24/7.

I pyetur mbi heqjen e tabelave dygjuhëshe në fshatrat e zonës së minoritetit, Katrougalos tha se ndodhet në kontakt me ambasadën greke në Tiranë për të parë se çfarë po ndodh.

“Kanë shfaqur disa pretendime që tabelat dygjuhëshe duhet të kenë të parën gjuhën shqipe, pastaj atë greke. Domethënë çështje kompetencash.

Ne kemi paralajmëruar se çdo lëvizje që do të duket se është kundër interesave të minoritetit tonë, do të trajtohen me mënyrën që parashikon e drejta ndërkombëtare”, tha ministri i jashtëm grek.

Ndërkaq, i pyetur nëse ka ndonjë zhvillim të ri për çështjen e pronave, pas takimit Tsipras Rama muajin e kaluar, Katrougalos tha se “Kemi premtime dhe angazhime nga pala shqiptare”.

“Në këtë moment e kemi mundësinë që t’i kontrollojmë këto premtime, sepse në qershor do të diskutohen perspektivat europiane të Shqipërisë. Ekzistojnë kritere për hapjen e negociatave të anëtarësimit për të gjitha vendet, që duhet të vlejnë edhe për Shqipërinë”, shtoi Katrougalos.

Më tej, ai rreshtoi se cilat ishin këto kritere:

“Respektimi i shtetit të së drejtës, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, por edhe çështje që kanë të bëjnë me respektimin e të drejtave të minoriteteve, si dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

“Është e qartë se për ne këto janë çështje bazike”, theksoi ministri i jashtëm grek, Katrougalos.

Ndaje me miqte