0030 210 33 18 483

Ke detyrime ndaj shtetit, tashmë mund t’i shlyesh me 120 këste

TV TRIBUNA 07 Maj 2019

U dorëzua në parlament dhe pritet të miratohet deri më 15 maj, projektligji i ri që parashikon deri në 120 këste mujore për shlyerjen e detyrimeve që kanë qytetarët dhe bizneset ndaj zyrave të tatimeve, enteve të sigurimeve shoqërore dhe bashkive.

Votimi dhe vënia në zbatim e dispozitave pritet të krijojë një lehtësim të ndjeshëm për rreth 4 milionë subjekte fizike dhe juridike. Kujtojmë se shuma e përgjithshme e detyrimeve të pashlyera arrin aktualisht në 100 miliardë euro.

Projektligji parashikon zbatimin e kriterit të të ardhurave për ata që deklarojnë të ardhura deri në 10.000 euro në vit. Mbi bazën e kësaj do të përcaktohet edhe tërësia e kësteve që do të paguajë secili.

Ky kriter nuk do të zbatohet për ata që kanë të ardhura vjetore nën 10.000 euro, që përfitojnë 120 këste, me kusht që minimumi i pagesës të jetë 30 euro në muaj.

 

Disa shembuj, siç paraqiten nga agjencia e lajmeve ANA-MPA:

Një debitor me të ardhura vjetore të deklaruara 9.000 euro dhe detyrime 3.600 euro. Ky përfiton tërësinë e 120 kësteve dhe minimumi i pagesës do të jetë 30 euro.

Debitor me të ardhura vjetore të deklaruara 10.000 euro dhe detyrim 5.000 euro, gjithashtu përfiton 120 këste me nga 42 euro secili. Nëse i njëjti debitor ka detyrime totale 10.000 euro, përfiton po ashtu 120 këstet me vlerë 84 euro secili.

Debitor me të ardhura 16.000 euro dhe detyrime 6.000 euro, gëzon të drejtën e 120 kësteve, me nga 64 euro secili.

Debitor me të ardhura vjetore 20.000 euro dhe detyrime 8.000 euro, përfiton 120 këstet, me vlerë 85 euro secili.

 

Si aplikohet?

Kërkesa për t’u përfshirë në programin e rregullimit të kësteve bohet në mënyrë elektronike dhe vetëm ata që në mënyrë të vërtetuar nuk e kanë këtë mundësi mund ta bëjnë pranë shërbimit tatimor.

Pagesa e këstit të parë duhet kryer brenda tri ditëve që nga miratimi i kërkesës. Këstet e tjera paguhen deri në ditën e fundit të punës të muajve pasardhës nga muaji që bëhet kërkesa.

Ndaje me miqte