0030 210 33 18 483

Ke leje të skaduar, duhet vërtetim nga ambasada greke!...

Tribuna TV 28 Dhjetor 2020

Mjaft prej bashkatdhetarëve tanë që duan të shkojnë në Shqipëri për festën e vitit të ri do të ndeshen me një problem të ri.

Kush e ka lejen të skaduar, por të shtyrë me vendimin e fundit, duhet të pajiset me një vërtetim nga ambasada apo konsullata e Greqisë.

Njoftimi është bërë gjatë një prononcimi për mediat të shefit të stacionit të policisë në Kakavijë, Vilson Dine.

“Sqarojmë se sipas një vendimi të Qeverisë Greke të muajit dhjetor, të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhen në Shqipëri dhe kanë leje qëndrimi greke të cilës i ka mbaruar afati, duhet të pajisen me një vërtetim nga Konsullata/Ambasada greke në Shqipëri me qëllim që të lejohet të kalojnë kufirin në palën greke”, ka saktësuar Dine.

TV Tribuna u interesua pranë autoriteteve greke, po deri më tani nuk ka mundur të sigurojë shkresën zyrtare të këtij vendimi.

Nuk dihet gjithashtu nëse detyrimin për vërtetim nga autoritetet diplomatike dhe konsullore greke në Shqipëri e kanë vetëm përfituesit e shtyrjes së fundit, që u votua javën e kaluar, apo edhe ata që u ishin shtyrë lejet në verën e këtij viti.

Gjithsesi, nuk do shumë mend të konsiderohet një masë absurde, teksa ambasada greke ne tiranë apo konsullatat në Korçë dhe Gjirokastër duhet të vërtetojnë atë çka parlamenti greke vendosi me ligj dhe u publikua në Fletoren zyrtare.

Aq më tepër që lejet e qëndrimit janë shtyrë jo për faj të emigrantëve po për shkak të masave kufizuese kundër Covid 19 dhe pamundësisë së administratës greke t’u përgjigjet në kohën e duhur flukseve të rinovimit.

Edhe pa këtë masë të re, kthimi i qytetarëve nga Shqipëria për në Greqi ka disa kushte që shefi i stacionit të Kakavijës i përsëriti para kamerave televizive.

Aktualisht lejohen të udhëtojnë drejt shtetit grek shtetasit:
Grek;
Shqiptarë me leje qëndrimi greke;
Shtetasit minoritarë të pajisur me kartën e veçantë;
Trupi diplomatik për arsye pune;
Shtetas shqiptarë të pajisur me autorizim të veçantë nga përfaqësitë diplomatike greke, për arsye pune apo shëndetësore;
Të gjithë drejtuesit e kamionëve dhe furgonëve që transportojnë mallra;
Kjo kategori duhet të plotësojë kushtet si më poshtë:
Të ketë plotësuar më parë dhe të ketë të printuar formularin PLF (Passanger Locator Form) në adresën elektronike www.travel.gov.gr;
Të ketë test PCR me rezultat negativ, në gjuhën angleze me të dhënat personale dhe numrin e dokumentit të udhëtimit.

Dalja nga Republika e Greqisë dhe hyrja në Republikën e Shqipërisë është e lirë dhe pa kufizime, por të gjithë shtetasit që duan të udhëtojnë drejt kësaj Pike Kalimi duhet të dinë se orari i funksionimit është çdo ditë nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa kamionët lejohet të kalojnë në harkun kohor 06:00-20:00.

Shtojmë se kush vjen nga Shqipëria për në Greqi duhet të ketë me vete edhe deklaratën tatimore E1, ku rezulton adresa e banimit.

Ndërsa kthimi nga Shqipëria bëhet edhe më i vështirë, nuk është i lehtë edhe udhëtimi deri në kufi, për daljen nga territori grek.

Kushdo që dëshiron të udhëtojë jashtë Greqisë duhet të plotësojë formularin PLF, por edhe të sigurohet se nuk do të gjobitet për shkak se rruga deri në kufi kalon nëpër disa qarqe, në kohën që lëvizja nga njeri qark i Greqisë në tjetrin është i ndaluar.

Ka pasur mjaft raste kur bashkatdhetarët tanë janë gjobitur me 300 euro për shkeljen e kësaj mase.

Sa i përket pikës kufitare të Kapshticës, njoftohemi se për daljet ajo funksionon vetëm për këmbësorë.

Pra, ende nuk lejohet kalimi me makinë private për qytetarët e thjeshtë.

Ndaje me miqte