KE: Shqipëria ka përmbushur kushtet për hapjen e negociatave
20 Tetor 2021
Komisioni Europian paraqiti sot para Parlamentit Europian Raportin vjetor për Shqipërinë, mbi përparimin e saj në procesin e anëtarësimit në Bashkimit Europian. Ajo është pjesë e vlerësimeve për vendet kandidate dhe e paketës së zgjerimit të BE-së, ku janë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Oliver Varhelyi, tha para eurodeputetëve se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë përmbushur kushtet për hapjen e negociatave.
"Shtyrja e hapjes së negociatave me këto dy vende ka krijuar një ndikim negativ. Duhet zgjidhur problemi dypalësh mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo është shumë e rëndësishme për besueshmërinë e Bashkimit Europian. Është e rëndësishme që ta kuptojnë edhe anëtarët e Bashkimit Europian, se ata i kanë përmbushur kushtet, në mënyrë që të mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare me këto dy vende.” - tha zoti Varhelyi.
Në raportin që ka siguruar “Zëri i Amerikës” vlerësohet se Shqipëria duhet të punojë ende në reformën në administratën publike, reformën e sistemit të drejtësisë, luftën ndaj korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar. Në të theksohet se gjatë periudhës së raportimit, nuk është bërë përparim sa i takon lirisë së shprehjes.
“Në aspektin politik, - thuhet në raport - zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit u mbajtën pas marrëveshjes shumëpartiake të 5 qershorit 2020, dhe sipas OSBE ato ishin përgjithësisht të mirorganizuara. Në legjislaturën e re shumica dhe opozita duhet të përmirësojnë dialogun politik dhe të punojnë së bashku për agjendën e reformës për hapjen e negociatave me BE-në” - theksohet në raport.
Ndaje me miqte