Kievi nën kontrollin e Ukrainës, pavarësisht shpërthimeve
ATSH
26 Shkurt 2022
KIEV, 26 shkurt /ATSH-DPA/ – Shpërthime dhe të shtëna me armë tronditën Kievin gjatë natës, por të shtunën në mëngjes qeveria e Ukrainës tha se ushtria kishte zmbrapsur sulmet ruse dhe situata në kryeqytet ishte e tensionuar, por nën kontroll.
Presidenti Volodymyr Zelensky kishte paralajmëruar ukrainasit se trupat ruse ka të ngjarë të sulmojnë qytetin gjatë natës dhe u bëri thirrje njerëzve që të ndalojnë armikun kudo që të jetë e mundur.
Por, frika e një lufte intensive urbane nuk rezultoi si e tillë.
Ndërsa dielli lindte mbi Kiev, Zelensky publikoi një video në të cilën ai hodhi poshtë raportet që sugjeronin se ishte larguar nga vendi dhe deklaroi se “unë jam ende këtu”.
Pas një nate me sulme tokësore dhe ajrore në zonën e Kievit dhe gjetkë, ai tha se ukrainasit nuk do të dorëzonin armët e tyre ose nuk do t’u dorëzoheshin forcave pushtuese, siç kërkoi presidenti rus Vladimir Putin.
Mykhailo Podolyak, një këshilltar i Zelenskyt, tha se rusët po përpiqeshin ende të zhvendosnin një numër të madh trupash dhe pajisjesh në qytet dhe se luftimet po zhvilloheshin në zonat periferike.
”Por, trupat ukrainase bënë një mbrojtje të fortë dhe si në qytet ashtu edhe në periferinë e Kievit, situata është nën kontroll”, tha Podolyak.
”Nata e kaluar ishte e vështirë, por nuk ka trupa ruse në qytet”, tha kryebashkiaku Vitali Kliçko në një video të publikuar në kanalin e lajmeve Telegram sot në mëngjes.
Por ai shtoi se “armiku po përpiqet të avancojë në qytet”.
”Që nga ora 05:00 Kievi ka regjistruar 35 të plagosur, përfshirë dy fëmijë”, tha Kliçko.
Infrastruktura e Kievit ishte ende e paprekur dhe trenat e nëntokës po qarkullonin.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës postoi një imazh të tymit që dilte nga një ndërtesë e lartë në Kiev, e cila kishte të paktën katër kate të shkatërruara gjatë luftimeve. Nuk dihet ende nëse ka viktima.
“Kiev, qyteti ynë i mrekullueshëm, paqësor, i mbijetoi një natë tjetër nën sulmet e forcave tokësore ruse, raketave”, shkroi Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba.
“Unë i kërkoj botës izoloni plotësisht Rusinë, dëboni ambasadorët, embargo nafte, shkatërroni ekonominë e saj. Ndaloni kriminelët rusë të luftës!”, vazhdoi ai.
Ushtria ukrainase tha se zmbrapsi një sulm në një kazermë në perëndim të Kievit, vetëm rreth shtatë kilometra nga qendra e qytetit.
Më herët gjatë natës, pati raportime se trupat ruse u përpoqën të sulmonin një termocentral të kombinuar të ngrohjes dhe energjisë në verilindje të qytetit.
Luftimet u raportuan gjithashtu në Obolon, në veri.
Si Rusia, ashtu edhe Ukraina publikuan shifra të reja mbi numrin e viktimave të luftës për sa i përket jetëve dhe infrastrukturës, megjithëse informacioni nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.
Rusia thotë se ka dëmtuar 800 pika të infrastrukturës ushtarake ukrainase, duke përfshirë fusha ajrore, poste komanduese, sisteme raketore anti-ajrore dhe stacione radari.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se rreth 3 500 ushtarë rusë janë vrarë dhe 200 të tjerë janë kapur.
Përveç kësaj, ajo shtoi se 14 avionë, tetë helikopterë dhe 102 tanke, si dhe më shumë se 530 automjete të tjera ushtarake u shkatërruan.
Ndërkohë, ukrainasit vazhduan të përpiqeshin t’i shpëtonin dhunës duke kaluar në vendet fqinje.
Zëvendësministri i Brendshëm polak tha të premten se 35 000 njerëz kanë kaluar në vend brenda vetëm 24 orëve.
OKB tha dje se dhjetëra mijëra njerëz po iknin drejt fqinjëve të Ukrainës dhe se, nëse lufta përshkallëzohej, numri mund të arrijë në katër milionë ose më shumë.
Jashtë Kievit, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se sulmet ajrore ruse goditën qytetin verilindor të Sumyt, të Mariupolit në jug dhe të Poltavas në lindje.
”Ndërkohë, trupat ruse kanë zbarkuar pranë qytetit perëndimor të Ukrainës, Lviv”, sipas kryebashkiakut Andri Sadovi.
”Tre helikopterë kishin zbritur rreth 60 parashutistë rreth 90 kilometra në verilindje të Lvivit, afër qytetit të Brody, të shtunën në mëngjes”, shkroi Sadovi në Facebook.
”Trupat tona i kanë zmbrapsur ata”, shtoi ai.
“Ne po e mbajmë situatën nën kontroll”, tha Sadovi.
Ndaje me miqte