0030 210 33 18 483

Kisha Ortodokse: Të gjendet rruga e pajtimit për zgjidhjen e problemeve

ATSH 02 Qershor 2019

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë i bëri thirrje sot partive politike të gjejnë rrugën e pajtimit dhe të mirëkuptimit dhe të ofrojnë zgjidhje konkrete për të gjitha problemet, për të mirën e vendit dhe të popullit tonë.

Në një deklaratë për shtyp Kisha Ortodokse Autoqefale thekson se “duke e ndjekur me kujdes situatën konfliktuale politike që është krijuar në vendin tonë kemi shpresuar se palët, nëpërmjet një përpjekjeje dhe mirëkuptimi të ndërsjellë, do të gjenin një zgjidhje, të pranueshme për të gjithë”.

“Por, me keqardhje po shikojmë se rruga e pajtimit dhe e mirëkuptimit sapo vjen dhe po ngushtohet, duke rrezikuar kështu ashpërsimin e konfliktit, i cili mund të sjellë pasoja shumë të rënda për të tashmen dhe të ardhmen të Shqipërisë “, thuhet në deklaratë.

Kisha Ortodokse Autoqefale shprehet se “prandaj, me shqetësim të madh dhe përulësi, do të lutemi në të gjitha kishat që Perëndia e paqes dhe e urtësisë të inkurajojë të gjithë ata që kanë përgjegjësinë e drejtimit të vendit, që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e detyrës, me të cilën janë ngarkuar, të gjejnë rrugën e pajtimit dhe të mirëkuptimit dhe të ofrojnë zgjidhje konkrete për të gjitha problemet, për të mirën e vendit dhe të popullit tonë”.

Ndaje me miqte