0030 210 33 18 483

Koalicioni opozitar, marrëveshje për zgjedhje të lira dhe të ndershme

TV TRIBUNA 23 Prill 2019

Partia Demokratike dhe 8 parti të tjera kanë nënshkruar të martën një marrëveshje për krijimin e Koalicionit të Bashkuar Opozitar dhe Qytetar për zgjedhjet e ardhshme në vend.

Marrëveshja ka në thelb vendimin e marrë javën e kaluar nga PD, për bojkotimin e mundshëm të zgjedhjeve për pushtetin lokal.

Dokumenti saktëson se partitë e opozitës “do të regjistrohen në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Sipas marrëveshjes, “Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme është formimi i një Qeverie Tranzitore që të përgatisë zgjedhje të parakohshme parlamentare”, por dhe “zgjedhje të lira e të ndershme vendore”.

Në të njëjtën kohë, partitë opozitare nënvizojnë që “angazhohen të mos lejojnë asnjë farsë elektorale, të organizuar nga qeveria ilegjitime e Edi Ramës”.

Kryetari i partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi pas nënshkrimit të marrëveshjes, se Hap i panegociueshëm mbetet zgjidhja politike, që është largimi i Edi Ramës dhe një qeveri tranzitore, e cila do të mundësojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

 

Rama: Koalicioni opozitar vetëvrasje politike, zgjedhjet as ndalen, as shtyhen

Nga ana e vet, kryeministri Edi Rama, duke komentuar vendimin për krijimin e koalicionit opozitar, e cilësoi atë si “vetëvrasje politike”.

“Pas djegies së mandateve, koalicioni kundër zgjedhjeve një tjetër formë e padëgjuar vetëvrasjeje politike! Humbësit kronikë janë peng i dëshpërimit të tyre, po Shqipërinë s’e marrin dot peng. Zgjedhjet as ndalen, as shtyhen. Në 30 qershor qytetarët do flasin me votë në çdo bashki”, – komentoi Rama.

Ndaje me miqte