0030 210 33 18 483

Kodi i ri i qarkullimit rrugor, mijëra vetë do të "humbasin" patentën

TV Tribuna 02 Prill 2024

Ndëshkime më të rrepta për kundravajtje specifike dhe asnjë mundësi për heqjen e gjobës, parashikon kodi i ri i qarkullimit rrugor që po harton ministria greke e transporteve.

Kodi i ri do të mbajë gjobat e rënda, heqjen e patentës dhe sistemin e pikaverazhit, por jo dhe heqjen e lejes së qarkullimit të mjetit dhe të targave.

Kodi i ri po hartohet në funksion të strategjisë kombëtare për sigurinë rrugore, që synon përgjysmimin e numrit të vdekjeve dhe plagosjeve të rënda nga aksidentet, deri në fund të vitit 2030.

Gjobat më të rënda do të jenë për kundravajtjet që do të mund të shkaktojnë aksidente mjaft serioze, si:

Mosrespektim i semaforit të kuq

Shpejtësi e madhe

Drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit

Parakalim i parregullt.

Gjithashtu, një ndryshim i madh do të bëhet me verifikimin e gjobave, që nuk do të mund më askush t’i fshijë, siç ndodh rëndomë sot.

I gjithë rrjeti rrugor i vendit do të monitorohet pa ndërprerje gjatë gjithë 24 orëshit, nga drona, që do të konstatojnë kundravajtjet dhe do t’i dërgojnë në kohë reale në sistemin qendror.

Gjobat do të kalojnë automatikisht në një platformë elektronike dhe kundravajtësi do të njoftohet me sms.

Gjoba do të figurojë edhe në Taksis net e do të konsiderohet si detyrim i pashlyer tatimor derisa të paguhet.

Kundravajtësi do të mundë ta paguajë gjobën nga interneti nëpërmjet e-banking apo në ATM.

Një tjetër risi do të jetë ulja e mëtejshme e shpejtësisë së lejueshme brenda në qytet: në 30 km/or, nga 50 që është sot.

Me vënien në zbatim të limitit të ri të shpejtësisë, ndërsa rrugët do të monitorohen 24 orë nga dronat, parashikohet se brenda një kohe të shkurtër mijëra drejtuesve mjeti do t’iu merret patenta për të paktën dy muaj.

Ndaje me miqte