0030 210 33 18 483

Koment i Zërit të Amerikës: Shqipëri, nis fushata për zgjedhjet vendore

Zëri i Amerikës 01 Qershor 2019

E shtuna në Shqipëri është zyrtarisht dita e parë e fushatës zgjedhore për pushtetin vendor.

Partia Socialiste në pushtet është e vetmja që nisi fushatën me një tubim festiv. Ndërsa Partia Demokratike e opozitës po përgatit për një tjetër protestë të dielën, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Partia Socialiste po ecën me vendosmëri drejt zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, ndërsa Partia Demokratike ka dalë nga parlamenti dhe nuk po merr pjesë në këto zgjedhje me kandidatë bashkiakë.

Të dyja palët po mbajnë qëndrime të skajshme, e para, duke thënë se zgjedhjet do të mbahen patjetër, dhe opozita se zgjedhje në 30 qershor nuk do të ketë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të mos pranojë as komisionerët e opozitës në menaxhimin e procesit zgjedhor, një vendim ky që opozita e ka apeluar.

Që nga shkurti kur opozita dogji mandatet parlamentare, ajo ka organizuar disa protesta, ku ka patur edhe përplasje me policinë.

Njëra palë ka hedhur bomba me benzinë, ndërsa policia i ka shpërndarë protestuesit me gaz-lotsjellës.

Autoritete të larta shqiptare dhe ndërkombëtare u kanë bërë thirrje partive politike që të ruajnë gjakftohtësinë dhe të nisin dialogun për çështjet kryesore të vendit.

Por drejtuesit kryesorë të partive më të mëdha po mbajnë qëndrime refraktare ndaj kërkesave të njëra-tjetrës.

Vëzhgues të jetës politike vlerësojnë se drejtuesit e partive të mëdha po i tërheqin edhe militantët e tyre drejt pozicioneve të skajshme.

Ata shprehin shqetësim për tensionet e krijuara dhe për rrezikun e përplasjeve fizike në fund të muajit, sa më shumë afrohet data e zgjedhjeve vendore.

Ndaje me miqte