0030 210 33 18 483

Komisioneri Hahn befason: "Ristrukturim kufijsh midis Greqisë dhe Shqipërisë"?

Robert GORO 11 Korrik 2018

Mediat greke e kanë cilësuar si “të çuditshme” një deklaratë të komisionerit për zgjerimin, Johannes Hahn.

Sipas gazetës Kathimerini, duke folur në një konferencë në Londër, komisioneri tha që po të arrihet marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, do të ketë dhe ristrukturim të kufijve”.

Të njëjtën deklaratë, gazeta Proto Thema e cilëson si “të pabesueshme”.

“Me pak fjalë, komisioneri ka paralajmëruar që në rast se negociatat Kotzias-Tsipras me kryeministrin shqiptar Edi Rama finalizohen, do të ketë ndryshim kufijsh”, ka interpretuar Proto Thema.

Dhe gazeta greke shton:

“Është një deklaratë tepër serioze dhe pritet me interesim reagimi i qeverisë greke dhe i ministrisë së jashtme greke”.

Duke folur për nevojën e lidershipit në Ballkan, komisioneri tha se shenja të këtij lidershipi u panë me arritjen e marrëveshjes Athinë-Shkup.

Dhe shtoi:

“Gjithashtu po të ketë marrëveshje ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë, sepse aty kemi, le të themi, një ristrukturim kufijsh, që është një gjë shumë e rëndësishme dhe kruciale për qytetarët. Rrjedhimisht, na nevojitet një lidership, por gjithashtu na duhet një lidership që ta kuptojë se nevojiten ndryshime në shoqëri. Duhet ndryshimi i mentalitetit, që të ketë një progres real në rrugën drejt Europës”.

Komisioneri foli në konferencën me temë “Përtej Berlinit. Çfarë presim dekadën e ardhshme për Ballkanin perëndimor”, organizuar nga Instituti Mbretëror i Çështjeve Ndërkombëtare, ose siç njihet gjerësisht, Catham House.

Por negociatave midis Athinës dhe Tiranës komisioneri Hahn iu ishte referuar edhe një ditë më përpara, në një intervistë për radion gjermane Deutsche Welle.

“Midis Greqisë dhe Shqipërisë ka një sërë çështjesh ende të hapura. Edhe këtu ka pasur për disa muaj negociata të mira dhe njëra nga temat është sqarimi i kufijve detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Shpresoj që këtu të prezantohet së shpejti një zgjidhje, sepse edhe kjo bën pjesë në këtë grup temash, që një anëtar të ri ne mund dhe duam ta pranojmë vetëm atëherë kur janë zgjidhur të gjitha konfliktet bilaterale. Po unë jam shumë optimist, që kjo do të jetë e mundur të realizohet në javët e ardhshme”, i deklaroi Hahn Deutsche Welles.

Ndoshta komisioneri ka pasur parasysh atë që ai e quan “sqarimi i kufijve detarë” në intervistën për DW.

Por ndoshta duhet që vetë ai ta sqarojë pak më mirë deklaratën e vet, pasi fjala “ristrukturim” le shteg për mjaft keqkuptime.

Ndaje me miqte