0030 210 33 18 483

Komisioni Europian propozon: Të mos ndryshojë më ora në verore dhe dimërore

Tribuna TV 31 Gusht 2018

Sipas të gjitha gjasave, në fund të këtij tetori që po vjen, askush nuk do të thotë më “do të flemë një orë më shumë”, siç ndodhte gjithmonë në të njëjtën periudhë, kur akrepat e orës në gjithë Europën duhej të shkonin 60 minuta mbrapa.

Komisioni Europian do të propozojë heqjen e ndryshimit të orës në të gjitha vendet e Bashkimin Europian, deklaroi presidenti Jean-Claude Juncker në një intervistë.

“Do ta vendosim sot”, tha Juncker, duke thënë se synimi është që të mbetet në fuqi vetëm ora verore.

“Ne zhvilluam një konsultim publik për këtë çështje, nga fillimi i korrikut deri në mesin e gushtit. Miliona njerëz u përgjigjën dhe kanë mendimin që në të ardhmen duhet të bëhet rregull që të funksionojë vetëm ora verore dhe ne do ta bëjmë”, deklaroi Juncker, gjatë një interviste në televizionin  gjerman ZDF..

“Kur i pyesim qytetarët për opinionin e tyre rreth një çështjeje, ajo që duhet është që në vazhdim të bëjmë atë që ata dëshirojnë”, shtoi Juncker.

Çdo propozim i komisionit për këtë çështje kërkon miratimin e shteteve anëtare të BE-së dhe të parlamentarëve europianë.

Komisioni pritet  të publikojë rezultatet e një sondazhi online që zhvilloi nga fillimi i korrikut deri në mes të gushtit. Sondazhi mori  4,6 milionë përgjigje – dukë shënuar një shifër rekord në BE – prej të cilëve më shumë se tre milionë përgjigje vinin nga Gjermania.

Më shumë se 80% e të anketuarve duan heqjen e praktikës së zhvendosjes së orës përpara në pranverë dhe mbrapa në vjeshtë.

Ndaje me miqte