0030 210 33 18 483

Komunikimet e fundit nga avioni i tragjedisë në Brazil, ku humbën jetën 62 pasagjerë, përfshirë tetë mjekë të njohur

Tribuna News 17 Gusht 2024

Komunikimet e fundit të pilotëve të avionit tragjik që u përplas javën e kaluar në Brazil, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë pasagjerëve, janë bërë publike.

 

Të gjithë 62 personat në bord humbën jetën në këtë ngjarje tragjike, përfshirë tetë mjekë të shquar që po udhëtonin për të marrë pjesë në një konferencë mbi teknika inovative për trajtimin e kancerit.

 

Sipas rrjetit televiziv vendas Globo, që citoi burime anonime nga hetimet, regjistrimet tregojnë se piloti dhe ndihmësi i tij vunë re një problem rreth një minutë para rrëzimit të pashpjeguar.

 

Në regjistrimin dy-orësh, dëgjohet piloti i dytë teksa pyet kapitenin “Çfarë po ndodh?” dhe shton se avioni ka nevojë për “më shumë fuqi” për t’u stabilizuar.

 

Avioni, një ATR-72 i linjave vendase Voepass, po fluturonte nga Sao Paulo drejt shtetit jugor Paraná, por u rrëzua në qytetin Vinhedo. Arsyet e aksidentit mbeten ende të panjohura.

 

Ministri i Aviacionit, Silvio Costa Filho, tha se është hapur një hetim, i cili po ndihmohet nga ekspertët e linjave Voepass dhe të prodhuesve franko-italianë ATR.

 

Avioni nuk kishte raportuar asnjë problem emergjence, dhe kushtet atmosferike ishin të qarta kur filloi rënien spirale drejt tokës.

 

Morgu i Sao Paulo ka pritur trupat e viktimave që nga e premtja e kaluar, kur filluan edhe identifikimet përmes skanimeve dentare dhe testimeve të gjakut.

 

Mes viktimave ishin edhe katër profesorë të Universitetit të Unioeste në Paraná.

 

Kreu rajonal mjekësor, Eduardo Baptistella, u shpreh: “Është një lajm shumë i trishtë humbja e tetë mjekëve të shquar onkologë që i kishin dedikuar jetën shpëtimit të të tjerëve.”

 

Ndër viktimat ishin radiologu i njohur brazilian, Leonel Ferreira, dhe ekspertët e kancerit, Sarah Stella dhe Silvia Osaki.

 

Baptistella shtoi se në fluturim duhej të ishin 15 mjekë, por shtatë prej tyre kishin ndërruar avion më herët.

 

Një tjetër viktimë ishte doktoresha Arianne Risso, e cila trajtonte pacientët me kancer të rëndë duke përdorur teknika inovative.

 

José Roberto Leonel Ferreira, i cili kishte dalë së fundmi në pension, punonte me klinikën e tij të kancerit në Cascavel.

 

 

Ndaje me miqte