0030 210 33 18 483

Koronavirusi, dy muajt e ardhshëm janë kritikë për Greqinë

TV TRIBUNA 10 Mars 2020

Ministri grek i shëndetësisë, Vasilis Kikilias, i është referuar një “krize epidemike të përbotshme”, duke informuar gazetarët për koronavirusin në vend.

Sëmundja ka shkallë shumë të lartë përçimi, shtoi ministri, dhe prandaj vë në rrezik grupet me shëndet më të dobët. “Kërkoj nga njerëzit që u përkasin këtyre grupeve të qëndrojnë në shtëpitë e tyre”, nënvizoi ministri dhe vazhdoi: “Kërkoj nga gjithë ata që kanë simptoma gripi, të qëndrojnë në shtëpi, të kufizojnë lëvizjet e tyre vetëm kur është e domosdoshme”.

“Dy muajt e ardhshëm do të jenë veçanërisht kritikë”, vlerësoi ministri grek i shëndetësisë.

Komisioni i ekspertëve i ministrisë së shëndetësisë ka sugjeruar këto masa të reja:

Të shmangen udhëtimet e panevojshme dhe grumbullimet, kudo që të jenë ato, brenda apo jashtë vendit, për njerëzit që kanë probleme shëndetësore. Grupet me shëndet të dobët përfshijnë të sëmurë me moshë mbi 70 vjeç, të sëmurë me probleme kardiake kronike, me sëmundje kronike të frymëmarrjes, të sëmurë me diabet dhe ata që kanë probleme me imunitetin ndaj sëmundjeve.

Lidhur me grupet me shëndet të dobët, komisioni rekomandon respektimin rigoroz të masave të higjienës dhe ndalimin e vizitave në qendrat e kujdesit ditor -me përjashtim të rasteve kur është e domosdoshme, në qendrat e rikuperimit dhe pavijonet e dializës.

Komisioni ka rekomanduar gjithashtu pezullimin e veprimtarive sportive dhe artistike në mjedise të hapura dhe të mbyllura me pjesëmarrjen e më shumë se 1.000 personave, ai dhe të gjysmë Maratonës së Athinës.

Gjithashtu rekomandoi respektimin e rregullave të higjienës në çdo grumbullim me më shumë se 50 persona, siç janë p.sh., mbledhjet e këshillit bashkiak.

Komisioni vë në dukje se javët e ardhshme, pritet – ashtu si në gjithë botën- një shtim i rasteve me koronavirus në Greqi.

Ndaje me miqte