0030 210 33 18 483

Koronavirusi, në Shqipëri shkon në 55 numri i të infektuarve

Zëri i Amerikës 17 Mars 2020

Në Shqipëri vijon të rritet, ndonëse jo me ritme të larta, numri i personave që rezultojnë të prekur nga coronavirusi. Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot për 4 raste të reja, të gjitha në Tiranë, nga të cilët, 2 janë personel mjekësor i Spitalit “Shefqet Ndroqi”. Në total, të infektuarit me Covid 19 kanë shkuar në 55 raste, 9 prej tyre janë mjekë dhe infermierë, shumica dërrmuese nga spitali “Shefqet Ndroqi”, ku ishte shtruar javën e shkuar një i sëmurë, i cili ishte vizituar nga një i afërm i kthyer nga Italia. “Nga hetimi i kryer, janë testuar 89 personel shëndetësor në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe prej tyre kanë rezultuar 8 mjekë dhe infermierë pozitivë. Duhet thënë që të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëkarantinuar”, bëri të ditur, përgjegjësja e Departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) Silva Bino.
Harta e përphapjes së koronavirusit, ka mbetur po e njejtë, 6 qytete, ku kryeson Tirana me 38 rast, e pasuar nga Fieri me 6 raste, Durrësi me 5 raste (nga të cilët një ka ndërruar jetë), dhe Lushnja, Elbasani e Rrogozhina me nga 2 raste secila.

Ndaje me miqte