TIRANË, 26 shkurt/ATSH Në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës në kuadër të kontrollit dhe monitorimit, janë marrë të gjitha masat me qëllim parandalimin e çdo rasti të dyshuar me koronavirus.
Prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Astrit Aliaj, tha për ATSH-në se “shërbimi në këtë pikë kalimi ka disa ditë që është bërë i përforcuar dhe me mbulim 24/7. Personeli shëndetësor i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Kakavijë që shërben në këtë pikë është trajnuar dhe pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme (termometra me lazër për matjen e temperaturës në distancë, veshje mbrojtëse , maska etj.)”.
Sipas tij, po kontrollohen të gjithë shtetasit që hyjnë në territorin e Shqipërisë në mënyrë të veçantë shtetasit që vijnë nga vendet e prekura ku edhe skedohen.