0030 210 33 18 483

Koronavirusi prek edhe Shqipërinë

Zëri i Amerikës 09 Mars 2020

Koronavirusi prek dhe Shqipërinë. Mesnatën e së dielës ministria e Shëndetësisë njoftoi për dy rastet e para. Behët fjalë për një 54 vjeçar dhe djalin e tij 28 vjeçar, të cilët kishin udhëtuar më parë në Firence të Italisë. Sipas njoftimit “gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe nuk paraqesin komplikacione. Strukturat e urgjencës kombëtare dhe Institutit të Shëndetit Publik janë duke ndjekur protokollin klinik dhe epidemiologjik për të dy rastet”.

Ministria e Shëndetësisë, bëri më pas të ditur se të dy personat e prekur “kanë qëndruar disa ditë në Firence dhe kanë udhëtuar në rrugë tokësore nga Firence drejt Tiranës, nëpërmjet pikës së Hanit të Hotit me makinë personale. Menjëherë pas shfaqjes së shenjave klinike dhe lajmërimit të urgjencës kombëtare në nr.127 i janë marrë mostrat, të cilat u konfirmuan nga laboratori i virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik”. Ministria shpjegoi se ndërkohë “strukturat e shëndetit publik po realizojnë hetimin epidemiologjik dhe marrjen e mostrave të kontakteve” të personave të prekur.

Autoritetet përsëritën "thirrjen për qytetarët që kanë udhëtuar nga vende të prekura dhe ndjejnë simptoma të ngjashme me gripin, të telefonojnë në nr.127, ku mjekët tanë do t'i përgjigjen çdo rasti”.

Ndaje me miqte