0030 210 33 18 483

Koronavirusi, Shqipëria mbyll shkollat për dy javë

Zëri i Amerikës 09 Mars 2020

Në Shqipëri, autoritetet njoftuan sot përshkallëzimin e masave të sigurisë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, pas konfirmimit në mesnatë të dy rasteve të para. Që nga kopshtet e fëmijeve dhe shkollat e të gjitha niveleve do të qëndrojnë të mbyllura për dy javë. Po ashtu deri më datën 3 prill do të pezullohen të gjitha aktivitetet publike, sportive e kulturore, ndërsa do të kalojnë në auto karantinë të gjithë personat që vijnë nga të ashtuquajturat zona të kuqe të Italisë. Po me këto zona janë pezulluar dhe fluturimet apo udhëtimet me tragete.

28 vjecari që kishte udhëtuar nga Italia, kishte hyrë në Shqipëri më 26 shkurt. Shenjat e prekjes nga koronavirusi atij ju shfaqën javën e shkuar. Bashkë me të dhe babai. Në mesnatën e mbrëmshme erdhi dhe konfirmimi . Ata janë zyrtarisht persanat e parë të prekur. Të dy menjëherë u izoluan në spital.

Autoritetet njoftuan sot në mengjes përforcimin e masave. Në mbledhjen e qeverisë, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, njoftoi vendimet për “mbylljen e institucioneve arsimore publike dhe jopublike, për një periudhë 2 javore nga hyrja në fuqi e këtij urdhri. Gjithashtu, mbylljen e aktiviteteve publike dhe jo publike dhe anulimin e grumbullimeve masive në vende të mbyllura apo të hapura, këtu përfshihen aktivitetet sportive, aktivitetet kulturore, konferencat, deri më datën 3 prill 2020. Po kështu, anulimin e grumbullimeve masive në vende të mbyllura apo të hapura të tilla si koncerte, tubime apo dëgjesa publike deri më datën 3 prill. Vetëkarantinimin e detyruar të personave që hyjnë në territorin e Shqipërisë, nga zona e kuqe apo zona e izoluar në Itali, strukturat shëndetësore do të sigurojnë mbështetjen e vazhdueshme të të gjithë personave të identifikuar si persona që kanë hyrë në vendin tonë nga zona të kuqe dhe sigurisht, moszbatimi i urdhrit që hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga zona e kuqe në Itali, është i dënueshëm sipas dispozitave ligjore të nenit 35 të ligjit për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”.

Më vonë ministrja e Arsimit Besa Shahini njoftoi se po punohet që gjatë periudhës së pezullimit nxënësit të mund të jenë në kontakt online me mësuesit, duke shfrytëzuar rrjetet sociale, për të shmangur sa është e mundur boshllëkun në mësimdhënie: “Jemi duke bërë një plan. Të gjthë drejtorët e shkollave do të orientojnë mësuesit, të jenë në kontakt me prindërit dhe t’u japin instruksione nxënësve ë të mësojnë nga shtëpia”.

Autoritetet, siç njoftoi dhe kryeministri Edi Rama kanë vendosur gjithashtu pezullimin e të gjithë fluturimeve drejt 10 destinacioneve italiane ( Milano, Bergamo, Bolonja, Firenze, Genova, Perugia, Pisa, Rimini, Venezia, Verona) me të cilat ka fluturime të shpeshta nga aeroporti “Nenë Tereza”, të gjitha në zonat e shpallur të kuqe, nga qeveria e këtij vendi. Po ashtu janë pezulluar deri më 3 prill dhe udhëtimet me target të pasagjerëve drejt Ancona-s dhe Trieste-s.

Zoti Rama bëri thirrje qytetarëve që të shmangin panikun: “Në këtë situatë, ilaçi më efektiv është qetësia dhe forca e arsyes për të mos e lënë veten dhe për të mos lënë rrethin e afërt të familjarëve e miqve të bien në kthetrat e panikut. Kjo është një kohë për t’u informuar prej burimeve zyrtare dhe për të zbatuar sa më rreptësisht të gjitha rekomandimet e dhëna prej autoriteteve shëndetësore sa i përket higjienës vetjake, që do të thotë masat që individualisht secili prej nesh dhe çdo individ duhet të marrë masa të thjeshta në dukje, por shumë efikase dhe të këshilluara në mënyrë të vazhdueshme nga OBSH-ja”, shpjegoi zoti Rama.

Nga ana e saj opozita këmbënguli në nevojën e marrjes së masave sa më rigoroze që garantojnë përballjen e duhur me virusin, “Fondet e mjaftueshme, mobilizimi maksimal dhe transparenca, janë tre komponentët e rëndësishëm politik, për të cilët nuk duhet humbur kohë. Në këtë kuadër dua t’ju siguroj se ne do të vazhdojmë ta ndjekim situatën hap pas hapi. Ekspertët dhe specialistët tanë do të jenë në shërbim të çdokujt, ndërkohë që grupi i krizës që është ngritur pranë Partisë Demokratike, bashkë me ekspertë të opozitës së bashkuar do të vazjdojë të monitorojë dhe të bëjë gjithshka në mundësitë, kapacitetet dhe fuqitë tonë për të qenë sa më afër njerëzve”, deklaroi kryetari demokrat Lulzim Basha.

Ndaje me miqte