0030 210 33 18 483

Kosova dhe Serbia në një raund bisedimesh në Bruksel

Zëri i Amerikës 26 Qershor 2024

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, takohen sot në Bruksel, në atë që disa vëzhgues të pavarur e shohin si një shfaqje që do t’u mundësojë ndërmjetësuesve të deklarojnë se procesi vazhdon dhe po jep rezultate, ndërsa palëve mund t’u sigurojë përfitime nga Plani Evropian i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përmes ripërkushtimit ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve.

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell, tha para fillimit të takimit se përgjatë vitit të kaluar procesi u përshkua nga zvarritjet, mungesa e e përkushtimit, përparimit e zbatimit dhe mungesë e gatishmërisë për një pajtim.

“Sot raundi i ri i bisedimeve shpresojmë të përçojë një mesazh tjetër dhe do të përfundojë në një tjetër mënyrë. I dërguari ynë i posaçëm Mirsolav Lajak ka punuar dhe dua të diskutoj me të dy udhëheqësit mbi atë se çfarë është arritur në dialog përgjatë mandatit tonë që nga viti 2019. Gjithashtu do të jetë me rëndësi për ne të kuptojmë më shumë se si të dyja palët e shohin të ardhmen e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe se si duan ta vazhdojnë këtë proces”, tha zoti Borrell, duke shprehur keqardhjen që palët nuk kanë filluar zbatimin e marrëveshjes së arritur vitin e kaluar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

“Do të diskutojmë hapat e ardhshëm. Është e qartë se ajo që është arritur duhet të zbatohet. Marrëveshjet janë themeli i veprimit por veprimi duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen. Zbatimi është fjala thelbësore dhe sot ne do të punojmë në hapat e ardhshëm konkret për këtë zbatim, tejkalimin e krizave të përditshme deri në angazhimin e plotë në procesin e normalizimit”, theksoi ai.

Kosova nuk ka filluar ende procesin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia ka thënë se nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që çojnë në njohjen ‘de facto’ apo ‘de jure’ të Kosovës.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha në Bruksel se nuk pret asgjë nga biseda me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por do të dëgjojë me vëmendje zotërinjtë Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, për të cilët tha se janë duke punuar në rrethana të vështira.

“Ata kanë dikë që i urren shumë serbët dhe jeton për të dëmtuar serbët. Ne do të luftojmë për interesin e popullit tonë në Kosovë dhe për të vënë në dukje pozitën e vështirë të popullit tonë”, tha presidenti serb, duke ritheksuar se Kosova nuk ka bërë asgjë për të zbatuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha para se të nisej për në Bruksel se “marrëveshja e bën normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen de facto, së paku de facto, në qendër. Prandaj kjo është zgjidhja evropiane e fqinjësisë së mirë por e cila nuk është realizuar deri më sot për shkak se para se të kemi edhe zbatim të marrëveshjes, kemi pasur shkelje sistematike të saj që ka kulmuar me letrën e ish kryeministres serbe (Ana) Bërnabiç nga 13 dhjetori i vitit të kaluar ku Serbia praktikisht u tërhoq nga marrëveshja bazike dhe prej aty na vijnë që të gjitha problemet”.

Takimi i sotëm mund të jetë i fundit nën ndërmjetësimin e zotit Borrell i cili në vjeshtë duhet t’i lërë postin pasardhësit të tij, zgjedhja e të cilit mund të vendoset ditëve të ardhshme në takimin e udhëheqësve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Në fund të mandatit është edhe i dërguari Lajçak i cili është emëruar ambasador i bllokut në Zvicër, por gjatë vizitës së fundit në rajon tha se do të qëndrojë në postin aktual deri në muajin janar.

Takimi i sotëm sipas vëzhguesve të pavarur është një mundësi për zyrtarët evropianë që të pohojnë se procesi i normalizimit po vazhdon dhe palët janë të përkushtuara për të zbatuar marrëveshjen, me të cilën kushtëzohet përparimi drejt integrimeve evropiane.

Të dyja palëve u është kushtëzuar edhe ndarja e parave nga Plani Evropian i Rritjes për Ballkanin Perëndimor me përparimin në bisedime dhe ky mund të ketë qenë nxitësi kryesor për pjesëmarrjen e tyre në takimin e sotëm.

Takimi i fundit ndërmjet të dy udhëheqësve është mbajtur në shtator të vitit të kaluar, pak ditë para ngjarjeve të 24 shtatorit, kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri duke vrarë një oficer policie. Tre nga sulmuesit mbetën të vrarë gjatë përleshjeve.

Ndaje me miqte