Kotzias për negociatat me Shkupin: "Kam vullnetin që të gjej zgjidhje"?
Tribuna TV
24 Maj 2018
Greqia do të ulet në tryezën e dialogut me dëshirën konkrete për arritjen e zgjidhjes në çështjen e emrit të FYROM, ka deklaruar ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias.
Pak orë para takimit të ri me homologun e vet Nikolla Dimitrov, në Njur Jork, Kotzias i ka bërë thirrje Shkupit që të tregojë një prirje për realizëm dhe kompromis.
“Unë nuk jam as optimist, as pesimist, por kam vullnetin që të gjej zgjidhje. Dhe duhet që edhe pala tjetër të ketë realizmin dhe pragmatizmin për të gjetur zgjidhje. Zgjidhjet janë zgjidhje kompromisi. E di që shumë forca në të dy vendet do të donin lidhje sipas dëshirave respektive, mirëpo në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ekzistojnë zgjidhje të tilla”, tha Kotzias.
Ministri i jashtëm grek do të takohet të enjten në Nju Jork me homologun e tij maqedonas, Nikolla Dimitrov, në prani të të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Matthew Nimetz. Kotzias e la të hapur mundësinë që la të hapur mundësinë që raundi i ri i negociatave të mbyllet brenda ditës dhe të mos vazhdojë edhe të premten siç ishte paralajmëruar.
I pyetur mbi deklaratën e Shkupit se tashmë negociatat kanë kaluar në stadin përfundimtar, Kotzias tha se pala tjetër “nuk ka veçse ta tregojë këtë”.
Ministri i jashtëm grek shpjegoi se negociatat e tanishme janë ndarë në dy pjesë. E para dhe më kryesorja ka të bëjë me çështjet tërësisht politike dhe përfshin bisedimet e dy ministrave të jashtëm në praninë e të dërguarit Nemetz.
Pjesa e dytë lidhet me tekstin e marrëveshjes përfundimtare dhe listën e çështjeve juridike. Këto detaje teknike diskutohen në një raund paralel negociatash që zhvillohen në nivel ekspertësh.
Ndaje me miqte