Kotzias pas takimit me Dimitrov: Marrëveshja përfundimtare, në dorë të dy kryeministrave
Tribuna TV
28 Maj 2018
Pas takimit që kanë zhvilluar në Bruksel ministrat e jashtëm të Greqisë dhe FYROM, shefi i diplomacisë greke, Nikos Kotzias, ka deklaruar se një marrëveshje e mundshme ndërmjet të dy vendeve do të finalizohet nga dy kryeministrat, Tsipras e Zaev.
“Dy ministrat e jashtëm përfunduam atë që na kishin ngarkuar kryeministrat e të dy shteteve. Sot dhe ndoshta edhe neser do të vazhdojnë negociatat në nivel ekspertësh për çështje teknike dhe juridike që duhen trajtuar”, u deklaroi Kotzias gazetarëve.
Kotzias shtoi që “sapo të mbarojnë edhe ekspertët dhe pasi të jenë sqaruar çështjet teknike dhe juridike, tekstet që janë hartuar në nivel të ministrave të jashtëm, do t’u jepej dy kryeministrave, të cilët do të bisedojnë dhe do të konkludojnë në marrëveshjen përfundimtare”.
Deklarata e ministrit të jashtëm grek vjen pas parashikimit që shprehu homologu i tij, Nikolla Dimitrov, se ai shpreson që të arrihet një marrëveshje deri në samitin e BE-së të 28 qershorit.
Kënaqësinë e Brukselit për “progresin që është shënuar” në negociatat Athinë-Shkup, ka shprehur edhe përfaqësuesja e lartë e BE për politikën e jashtme, Federica Mogherini.
“Inkurajohemi nga progresi që u shënua, veçan[risht në negociatat midis Shkupit dhe Athinës për çështjen e emrit”, deklaroi Mogherini.
Dimitrov: “Shpresojmë për marrëveshje deri më 28 qershor”
Ministri i jashtëm maqedonas, Nikolla Dimitrov, ka deklaruar se negociatat Athinë – Shkup për çështjen e emrit ndodhen në stadin përfundimtar.
Ai ka shtuar se brenda kësaj jave poritet që kryeministri grek dhe ia maqedonas të zhvillojnë një bisedë telefonike.
Dimitrov i ka thënë agjencisë greke, ANA-MPA, se ai shpreson që do të arrihet një marrëveshje deri në samitin e BE-së të 28 qershorit.
Të dielën, Dimitriv u takua në Bruksel me homologun grek, Nikos Kotzias, në vazhdim të kontakteve që kishin filluar në Nju Jork javën e kaluar. Sipas tij, ai pati “një takim të mirë” me ministrin e jashtëm grek.
Sa u përket negociatave, ministri i jashtëm maqedonas tha se ato po vazhdojnë në nivel teknik me ekspertë të fushës juridike.
Dimitrov i bëri këto deklarata në përfundim të takimit që zhvilloi të hënën paradite me ministrat e jashtëm të Be-së. Ai tha se i informoi ministrat mbi ecurinë e negociatave me Athinën, mbi përpjekjet që po bëhen “edhe në nivel dypalësh” për zgjidhjen e çështjes së emrit, si dhe mbi rëndëinë që do të kishte për gjithë rajonin zgjidhja e mosmarrëveshjes 28 vjeçare me Greqinë.
Dimitrov gjithashtu informoi mbi procesin e reformave në vendin e tij, që kanë të bëjnë me forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftimin e korrupsionit.
Ndaje me miqte