0030 210 33 18 483

Kotzias: "Qesharake të mendohet që Epiri i Veriut i përket Greqisë"?.

Tribuna TV 04 Korrik 2018

Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias ka deklaruar se “është qesharake që ndokush të mendojë që Epiri i Veriut i përket Greqisë”.

I pyetur gjatë një interviste nëse pala greke ka përfshirë në negociata edhe këtë çështje, Kotzias është përgjigjur:

“Nuk është shtruar gjë për termin “Epir i Veriut”, ashtu sikurse është qesharake disa të konsiderojnë se “Epiri i veriut” i përket Greqisë. Duhet të merrmi vesh. A i njohim kufijtë ashtu siç u përcaktuan mbi bazën e Aktit Final të Helsinkit në 1975? A pranojmë aktin final të Parisit të 2026-s? A i njohim rezultat e dy luftërave botërore?... Sepse disa te Demokracia e Re thonë gënjeshtra të paskrupullta, gjoja se ne po shkëmbejmë “Çamërinë” me Epirin e Veriut” e të tjera si këto. Duket se harrojnë që ajo që quhet “Epir i Veriut” i përket sot një shteti të pavarur e sovran. Po qe kështu le të na e thonë direkt. Duan ndryshim të kufijve? 

Më tej në intervistë ministri i jashtëm grek ka folur për marrëveshjen e detit të vitit 2009, duke thënë se ajo ishte një marrëveshje që “u bë për të mos u konkretizuar”. “Përderisa Demokracia e re e konsideronte si një sukses të madh të qeverisë së vet, përse nuk e çoi në parlament për ratifikim?”.

I pyetur mbi këtë marrëveshje se çfarë ka fituar Greqia, ministri Kotzias është përgjigjur:

“Nuk ka fitore apo humbje. Jemi duke negociuar, këtë moment nuk mund t’ju them se çfarë kemi bërë, por mund t’ju them që mos të shqetësoheni”.

Kotzias, ashtu siç ka bërë disa herë ditët e fundit, ka deklaruar se “as kam pranuar dhe as kam për të pranuar që të diskutohet çështja çame” dhe se pronat e shtetasve shqiptarë të kaluar në sekuestro me shpalljen e ligjit të luftës, janë krejt tjetër çështje nga pronat e çamëve. Sipas ministrit të jashtëm grek, pronat e sekuestros, nuk janë më shumë se 200.

Kotzias shpreh vendosmërinë për heqjen e ligjit të luftës. “Për fat të keq, me një sërë aktesh të vetat Greqia insistonte që nga fundi i viteve 1990, se gjendja e luftës vazhdon. Qeveria jonë do që ta heqë, të mbarojë”.

Në kohën që marrëveshja për çështjen e emrit të Maqedonisë, po rrezikon mandatin e qeverisë së kryeministrit Tsipras, ministri i jashtëm ka përsëritur se ajo ishte një marrëveshje e dobishme për Greqinë. “Ne e zgjidhëm problemin, sepse mendojmë se është e dobishme për kombin, pavarësisht nëse është anëtarësimi në Be apo në NATO. Është e dobishme të zgjidhim problemet që na mbajnë të burgosur, të mundim bashkë me popujt të shohim të ardhmen. Cila ishte alternativa jonë? Duam në kufijtë tanë veriorë të kemi miq apo armiq?”, ka bërë pyetjen retorike ministri i jashtëm grek.

Ndaje me miqte