0030 210 33 18 483

KQZ mbyll dërgimin e zarfeve në Diasporë

TV TRIBUNA 24 Prill 2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar procesin e dërgimit të zarfeve me fletët e votimit për diasporën.

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një konferencë për medie bëri publike të dhënat më të fundit për procesin e votimit nga jashtë për zgjedhjet e 11 majit.

Sipas tij, 154,770 zarfe janë shpërndarë deri më tani drejt votuesve të regjistruar jashtë vendit, ndërsa deri në darkë pritet të mbërrijnë në KQZ rreth 22 mijë fletë votimi.

“Kemi përfunduar dorëzimin e zarfeve për 100%. Deri tani janë shpërndarë pra zgjedhës që kanë marrë në dorë zarfin janë 154 770 zarfe te votuesit e regjistruar për zgjedhjet e 11 majit. Kanë mbërritur në KQZ deri tani 19 025 zarfe. Ky numër deri në fund të ditës do të jenë rreth 22 000 fletë votimi që janë kthyer mbrapsht, që përbëjnë 12.5% të fletëve të votimit që janë dorëzuar”, tha Celibashi.

Nga ana tjetër, Celibashi deklaroi KQZ është në komunikim të drejtpërdrejtë me SPAK për çështje që lidhen me krimet zgjedhore në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm. Kemi pasur shkëmbim informacioni për një çështje konkrete ndërkohë në një komunikim të sotëm, janë një numër procedimesh të cilat është duke i ndjekur SPAK bazuar si në kallëzime të subjekteve zgjedhore por ashtu edhe të qytetarëve të ndryshëm. Janë duke i hetuar, duke proceduar sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale e me siguri kur ka diçka për të ndarë me publikun do ta ndajnë”, tha Celibashi.

Ndaje me miqte