0030 210 33 18 483

Krimi në Glika Nera. Komuniteti i shqiptarëve: “Media greke të kërkojë falje publike”

18 Qershor 2021

Autori i krimit monstruoz që u krye në në Glika Nera para disa javësh, përfundimisht është një shtetas grek, bashkëshorti i viktimës 20 vjeçare.

Ai u arrestua dhe iu komunikuan akuzat.

Për ditë me radhë media vendase kishte aluduar se autorët e këtij krimi ishin shqiptarë, duke “i hedhur benzinë zjarrit” të ksenofobisë të një pjese të konsiderueshme të opinionit publik.

Tashmë, që autori i vërtetë është vënë në pranga dhe nga engjëll u shndërrua në djall, askush nuk ka një fjalë ndjese për demonizimin e komunitetit më të madh të emigrantëve të huaj në Greqi.

Pikërisht, një ndjesë publike kërkon Komuniteti i Emigrantëve Shqiptarë në Greqi, me anë të një deklarata dygjuhëshe, shqip dhe greqisht.

Në deklaratën që na dërgoi në redaksi pasditen e të premtes, sekretari i përgjithshëm, Irfan Abazaj, thuhet:

Komuniteti i Emigrantëve Shqiptarë në Greqi shpreh tronditjen e thellë dhe neverinë e ngjallur nga krimi i rëndë, që tronditi mbarë opinionin publik në vend.

Si të gjithë, ndjekim të shokuar zhvillimet e fundit në hetimet e vrasjes së nënës së re në Glika Nera, nga vetë bashkëshorti i saj. Shprehim ngushëllime të sinqerta dhe mbështetjen pa kushte ndaj familjes së viktimës 20-vjeçare, Caroline Crouch!

Njëkohësisht kërkojmë të përdoren menjëherë reflekset e shtetit për të siguruar një reagim të gjerë e dërguar pa humbur kohë mesazhin e duhur, në çdo drejtim: Vrasësi i Caroline NUK ishte asnjë kriminel tepër i rrezikshëm “shqiptar” apo “gjeorgjian” etj.

Sërish media greke nuk humbet aspak shansin të kultivojë me vullnet të jashtëzakonshëm stereotipin e “kriminelit të huaj, emigrant”, akte që nxisin urrejtjen dhe racizmin në shoqërinë greke. 

Dënojmë thellë aktin e frikshëm të vrasësit 33-vjeçar, i cili për 37 ditë me radhë luante rolin e bashkëshortit të hidhëruar.

Kërkojmë media greke të kërkojë falje në publik për shpifje dhe manipulim të përsëritur, duke shfrytëzuar shqiptarët në Greqi, me propagandë të vazhdueshme, pa asnjë bazë apo informacion zyrtar. Ndodh shumë vite tashmë, ka ardhur koha ky kapitull të mbyllet njëherë e përgjithmonë, duke dënuar ashpër çdo autor përgjegjës! 

Le të mos kultivojmë urrejtjen në shoqërinë tonë që është dëmtuar mjaft, por ku mund dhe duhet të bashkëjetojmë të gjithë harmonikisht. Le të jemi të bashkuar kundër çdo forme dhune, sulmi ndaj të pafajshmit e vulnerabëlit, akti kriminal, për një të nesërme më të begatë për të gjithë!

Ndaje me miqte