0030 210 33 18 483

Kufiri Greqi – Turqi, gjenden trupat pa jetë të tri femrave

Tribuna TV 11 Tetor 2018

Trupat pa jetë të tri femrave, një prej të cilave e mitur, janë gjetur në bregun e lumit Evros, në afërsi të kufirit me Turqinë.

Njëra prej tyre është e moshës rreth 30-35 vjeç, tjetra pak më e re dhe e treta një vajzë e mitur.

Sipas policisë, ato ishin të lidhura dhe që të tria kanë shenja goditjesh të pamëshirshme me mjete të mprehta.

Në vendngjarje janë gjetur dy thika, njëra prej të cilave dyshohet se është e tipit ushtarak.

Ka shumë gjasë që tri viktimat të kenë lidhje farefisnore ndërmjet tyre, por kjo do të verifikohet pasi të kryhen analizat me test ADN-je.

Trupat pa jetë u gjetën nga një bari grek, i cili njoftoi policinë.

Mendohet se kufomat kishin të paktën tri ditë në vendngjarje.

Fytyrat e tyre janë me ngjyrë të zeshkët, çka bën të mendohet se viktimat janë nga Afrika Veriore apo Azia.

Siç raporton agjencia zyrtare e lajmeve ANA-MPA, vlerësohet se tri viktimat kanë kaluar në mënyrë ilegale nga Turqia në Greqi dhe janë ekzekutuar për arsye që ende nuk dihen.

Agjencia thotë se ka gjasë që motivet e vrasjes të lidhen me grupe xhihadiste apo me rrjete të trafikimit ilegal të qenieve njerëzore.

Lumi Evros (në turqisht Meriç) është një nga rrugët kryesore të kalimit të klandestinëve nga Turqia për në Greqi. Vetëm gjatë këtij viti nëpërmjet kësaj rruge kanë kaluar më shumë se 10.000 refugjatë dhe emigrantë të paligjshëm.

Ndaje me miqte