0030 210 33 18 483

Kush ishte Kofi Annan, afrikani i parë që drejtoi OKB-në

Tribuna TV 20 Gusht 2018

Ish-sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ganezi Kofi Annan vdiq pas një sëmundjeje të shkurtër, njoftoi fondacioni i tij me qendër në Gjenevë. Gjithashtu fitues i çmimit Nobel për Paqen, Annan ishte 80 vjeç.

 “Me trishtim të madh familja Annan dhe fondaacioni ‘Kofi Annan’ njoftojnë se Kofi Annan, ish-sekretar i përgjithshëm i OKB-së dhe fitues i çmimit Nobel për Paqen, vdiq sot pas një sëmundjeje të shkurtër”, tha fondacioni me anë të një komunikate.

OKB-ja u shpreh përmes një mesazhi në rrjetin Twitter: “Sot ne mbajmë zi për humbjen e një njeriu të madh, një udhëheqës dhe një njeri vizionar...Ai pati një jetë të jetuar mirë, e cila që ia vlen të nderohet”.

I lindur në Ganë, Anan ishte i pari afrikan i zi që udhëhoqi OKB-në, duke shërbyer si udhëheqës i organizatës nga viti 1997 deri në 2006.

Ai ishte gjithashtu Sekretari i parë i Përgjithshëm që u përzgjodh nga radhët e stafit të OKB-së.

Si Sekretar i Përgjithshëm, Anan luajti rol kryesor në krijimin e Fondit Global për Luftën kundër SIDËs, Tuberkulozit dhe Malarjes; për miratimin e strategjisë së parë të OKB-së kundër terrorizmit dhe pranimin nga shtetet anëtare të “përgjegjësisë për të mbrojtur” njerëzit nga gjenocidi, krimet e luftës, spastrimet etnike dhe krimet kundër njerëzimit.

Në vitin 2001, ai u nderua me Çmimin Nobel të Paqes, për punën e tij humanitare së bashku me Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Ai filloi punë në OKB në vitin 1962, fillimisht në zyrën e buxhetit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë me seli në Gjenevë.

Më vonë ai shërbeu në pozita të ndryshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Para se të zgjidhej Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së ai ishte nën-Sekretar i Përgjithshëm për Misionin Paqeruajtës. Pas largimit nga në Organizatë e Kombeve të Bashkuara, drejtoi Fondacionin Kofi Anan dhe të Moshuarit, një grup i themeluar nga Nelson Mandela.

 

Reagime të udhëheqësve botërorë për vdekjen e Kofi Annanit

Kreu i tanishëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e përshkroi zotin Annan si një forcë udhëheqëse e së mirës. Në shumë drejtime, Kofi Annan ishte një përfaqësues i denjë i Kombeve të Basshkuara.”

Presidenti i Ganës, Nana Akufo-Addo njoftoi se në vendin e tij do të mbahet një javë zi kombëtare “për njërin prej patriotëve tanë më të mëdhenj”. Ai tha se Annan "besonte fuqishëm tek kapaciteti i ganezëve për ta çuar vendin drejt rrugës së përparimit dhe begatisë.”

Barack Obama tha se zoti Annan "ishte një diplomat dhe humanitar që mishëronte misionin e Kombeve të Bashkuara, si shumë pak të tjerë.” Ish presidenti amerikan tha se “edhe pas një kohe të gjatë pas thyerjes së barrierave, Kofi nuk i pushoi kurrë përpjekjet e tij për një botë më të mirë dhe i kushtonte kohë motivimin dhe frymëzimit të brezit të ri të udhëheqësve.”

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Nikki Haley tha se Annan "ja kushtoi jetën përpjekjeve për ta bërë botën një vend me paqe” dhe “u përpoq pa pushim të mbronte dinjitetin e çdo qenieje njerëzore”.

Presidenti i Bashkimit Europian Jean-Claude Juncker tha se “mirënjohja më e madhe që ne mund t’i ofrojmë Kofi Annanit, është duke e ruajtur gjallë legjitimitetin e tij”. Ai shtoi se Annan "luftoi për t’i dhënë fund padrejtësive në mbarë botën dhe ndihmoi për rindërtimin e urave atje ku ato ishin prishur”.

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara Zeid Ra'ad al-Hussein, tha se “Kofi ishte shembulli më i mirë për njerëzimin, mishërimi i mirësjelljes dhe i elegancës në sjellje. Në botën ku ne jetojmë, të mbushur me udhëheqës, që janë shumë larg këtij modeli, humbja jonë dhe e të gjithë botës bëhet më e dhimbshme se kurrë,”- tha zoti al -Hussein.

Ndaje me miqte