Kyriakos Mitsotakis betohet si kryeministër i Greqisë
TV TRIBUNA
08 Korrik 2019
Kyriakos Mitsotakis është betuar si kryeministri i ri i vendit dhe nesër pritet të shpallë qeverinë e tij.
Betimi u krye para presidentit të Republikës Helenike, Prokopis Pavlopoulos dhe kryepeshkopit Ieronimus.
Më pas, Mitsotakis u drejtua në Megaro Maksimu, ku kryeministri në largim, Aleksis Tsipras i bëri dorëzimet.
Rezultatet përfundimtare të votave që u shpallën mesditën e të hënës, kanë konfirmuar fitoren bindëse të konservatorëve që rikthehen në pushtet pas katër vitesh e gjysmë.
Demokracia e re ka fituar 39,85% të votave dhe merr 158 vende në parlament, ndërsa Syriza e Aleksis Tsiprasit, 31,5% dhe 86 vende.
Duke dalë nga pallati presidencial, pas kryerjes së betimit, Mitsotakis deklaroi se populli i dha partisë së tij një mandat të fuqishëm për të ndryshuar Greqinë.
“Nga sot fillojmë punën fort. Kam besim të plotë në kapacitetet tona që të qëndrojmë në lartësinë e detyrës”, shtoi kryeministri i ri grek.