0030 210 33 18 483

Lajme jo te mira per heqjen e lokdaunit

TV Tribuna 01 Dhjetor 2020

Një deklaratë e kryeministrit Mitsotakis në mbledhjen e këshillit të ministrave, të hënën, lë të kuptohet se cilat do të jenë hapat e qeverisë gjatë ditëve të ardhshme.

“Rruga jonë mund të duket më e ngadaltë, por është më e sigurta. Dhe sidomos duhet të jetë një rrugë pa prapakthime”.

Këto dy fjali, mëtojnë dy gjëra, sipas leximit që i kanë bërë analistët.

Së pari, largohet në horizont data 7 dhjetor si një pikë e heqjes qoftë dhe graduale të kufizimeve.

Nisur nga fakti se kemi hyrë ndërkaq në muajin e fundit të vitit, konsiderohet përherë dhe më e vështirë që të ketë një lehtësim të parë të masave në 7 dhjetor.

Dhe kjo sepse, pavarësisht uljes së numrit të infeksioneve, mbetet i madh numri i pacientëve të intubuar dhe rrjedhimisht mbetet i madh presioni mbi sistemin shëndetësor.

Rrjedhimisht, një farë lehtësimi i masave, nuk mund të pritet para datës 14 dhjetor.

Skenari dominues këtu është që të hapet fillimisht tregtia me pakicë.

Vështirë se do të hapen shkollat, pasi i bie që pas diçka më shumë se një javë të mbyllen, për shkak të pushimeve të fundvitit.

Elementi i dytë që mëton deklarata e kryeministrit tregon se synimi i qeverisë është që të shmangë me çdo kusht një lokdaun të tretë.

Që të arrihet kjo është e qartë se hapja e ekonomisë do të duhet bërë në mënyrë veçanërisht të përmbajtur dhe kjo nuk do të përfshijë sektorin e gastronomisë.

Aq më tepër që në mediat greke po shtohen zërat nga biznesmenët e këtij sektori, pa të gastronomisë, që pretendojnë se hapja për disa ditë dhe pastaj një mbyllje e re, nuk leverdis në pikëpamje ekonomike.

Madje ka prej tyre që kanë deklaruar se edhe po të hapet gastronomia, ata nuk do t’i hapin lokalet e tyre.

Kështu pra, optimizmi i kryeministrit kur njoftonte lokdaunin e dytë se do të zgjaste deri në 30 nëntor tashmë ka marrë fund.

Madje, mediat po përgatisin opinionin për një zgjatje gati gati sa ajo e pranverës.

Gjithë epidemiologët e intervistuar orët e fundit, rekomandojnë që masat të zgjatgen deri në 21 dhjetor. Prandaj dhe Mitsotakis tha të hënën që nuk duhet të flasim me data, por mbi bazën e të dhënave epidemiologjike”.

Kështu që duhet të kalisim durimin tonë dhe të presim.

Përndryshe edhe vetë epidemiologët thonë qe ende kemi rrugë të gjatë përpara.

Ndaje me miqte