0030 210 33 18 483

Lajmet kryesore nga Greqia, Shqipëria dhe bota: 23 mars 2018

23 Mars 2018

GREQI

Liderët e Bashkimit Europian kanë shprehur qartazi mbështetjen ndaj Greqisë dhe Qipros, për problemet që këto dy vende kanë me Turqinë fqinje, nga e cila kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të dy ushtarakëve grekë që u arrestuan para tri javësh pse kaluan në mënyrë të paligjshme kufirin.

Në parlamentin grek janë shënuar skena tensioni, pasi deputeti i Agimit të Artë, Janis Lagos shau dhe ofendoi deputetët e SYRIZA-s. Kryetari i trupës së ligjvënësve, Nikos Vutsis, tha se do të shqyrtohet masa e përjashtimit të përkohshëm të grupit parlamentar të Agimit të Artë, nga seancat e parlamentit.

Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias po zhvillon në Shkup një maratonë bisedimesh me udhëheqjen e vendit fqinj, në kuadër të përpjekjeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për çështjen e emrit. Kotzias mbërriti për herë të parë në aeroportin e Shkupit që tashmë i kanë hequr emrin “Aleksandri i Madh”.

Presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë një pritje në Shtëpinë e Bardhë me rastin e festës kombëtare të Greqisë. Në mesazhin e tij, Trump i është referuar rëndësisë së kësaj dite për pavarësinë e Greqisë, si dhe vlerat e përbashkëta që karakterizojnë marrëdhëniet amerikano-greke.

Bordi drejtues i Mekanizmit Europian të Stabilitetit (EMS), do të shqyrtojë të hënën e ardhshme marrjen e vendimit për disbursimin e këstit me vlerë 5,7 miliardë euro, të kredisë që i është akorduar Greqisë në kuadër të programit të shpëtimit.

Moti në Greqi

Mot i paqëndrueshëm, me reshje lokale, gjatë ditës së sotme, sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Grek. Në zonat malore dhe kodrinore të Maqedonisë Perëndimore do të ketë reshje kalimtare bore, ndërsa në jug dhe në lindje të vendit era do të favorizojë prurjet e pluhurit afrikan.

 

SHQIPËRI

Kryeministri Edi Rama ka patur një darkë pune me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Rama ka njoftuar për këtë përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”: “Darkë pune me Presidentin Erdogan për ecurinë e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve; projektet e nisura për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës dhe Air Albania; projektet e reja në turizëm dhe energji; si dhe mbështetjen e Turqisë për programin tonë të ri kundër përmbytjeve”, shkruan Rama.

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka thënë se festa e Sulltan Novruzit është dhe thirrja për një “zgjim vullnetesh të shqiptarëve për të mposhtur diktaturën e krimit. “Është po kështu 22 marsi historik, dita kur 26 vite më parë më 22 mars 1992, shqiptarët u bashkuan dhe mposhtën errësirën dhe tiraninë 45-vjeçare. Thirrje për një bashkim dhe zgjim vullnetesh të shqiptarëve për të mposhtur diktaturën e krimit për të marrë në dorë fatin tonë dhe për ta çuar Shqipërinë drejt destinacionit të saj hyjnor, drejt Shqipërisë së lirisë dinjitetit të punës dhe të demokracisë evropiane”, tha Basha.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, gjatë vizitës së tij në Republikën Federale Gjermane, përveç takimeve me deputetë gjermanë të partive të ndryshme politike, zhvilloi dhe një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar për Çështjet e BE-së, me praninë e raporterëve për Shqipërinë në Bundestag. Bushati bëri një panoramë të progresit të vendit tonë në fushën e reformave dhe adresimin e pesë prioriteteve kyçe dhe i njohu deputetët me pritshmëritë për hapjen e negociatave për anëtarësim.

Një person është vrarë ndërsa një tjetër është plagosur gjatë përplasjes me armë me policinë në orët e para të mëngjesit të së premtes në qytetin e Fierit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të 23 marsit 2018 në lagjen "29 Nëntori".  Policia thotë se personat që kanë tentuar të grabisin kanë qenë të armatosur dhe me maska.

Situata e përmbytjeve në qytetin e Shkodrës vazhdon të përkeqësohet pasi sipërfaqja totale e përfshirë nga uji ka arritur mbi 5003 ha. Bashkia Shkodër ka bërë një shkresë publike drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes ku ka kërkuar shpalljen e gjendjes së emergjencës civile në këto njësi pasi rrezikohet rëndë shëndeti dhe jeta e popullatës, gjësë së gjallë, pasurisë e mjedisit. Por bashkia thotë se nuk ka marrë asnjë përgjigje, edhe pse kjo kërkesë është përsëritur disa herë.

Moti në Shqipëri

Gjatë ditës së sotme parashikohet mot me vranësira mesatare dhe të dendura si dhe alternime kthjellimesh gjatë orëve të pasdites. Sipas shërbimit meteorologjik, do të ketë reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe mesatar në formë shtrëngatash.

BOTA

Presidenti amerikan, Donald Trump autorizoi përjashtimin nga taksat e SHBA-së mbi importet e çelikut dhe aluminit të disa partnerëve të rëndësishëm, përfshirë Bashkimin Europian, njoftoi Shtëpia e Bardhë. “Taksat për importet e çelikut dhe aluminit të vendeve në vijim janë pezulluar deri më 1 maj 2018”, theksoi në një komunikatë presidenca amerikane duke cituar vendet anëtare të BE-së, Argjentinën, Australinë, Brazilin, Kanadanë, Meksikën dhe Korenë e Jugut.

Rusia do të ulë shpenzimet buxhetore për mbrojtjen në më pak se 3%, brenda pesë viteve të ardhshëm, njoftoi zëdhënësi i kremlinit, Dmitri Peshkov, i cituar nga agjencia RIA. Sipas agjencisë, Peshkov deklaroi gjithashtu se Vladimir Putin, që u rizgjodh president i Rusisë të dielën, është i gatshëm të përmirësojë marrëdhëniet me SHBA-të dhe Bashkimin Europian.

Popullariteti i presidentit francez, Emmanuel Macron ka rënë në nivelin më të ulët të mandatit të tij, sipas një sondazhi të zhvilluar vetëm një ditë pas protestës masive të mijëra punonjësve të sektorit publik që kundërshtuan reformat e presidentit. Me gjithë uljen e nivelit të papunësisë, numri i qytetarëve francezë që kanë opinion pozitiv për presidentin 40 vjeçar, u pakësua me 3 njësi gjatë muajit mars duke rënë në 40 për qind, sipas sondazhit të kompanisë BVA.

Turqia hodhi poshtë  kritikat “e papranueshme”, siç i cilësoi të Bashkimit Europian, që kishte dënuar të enjten “aktet e paligjshme” të Ankarasë që lidhen me konfliktet me Greqinë dhe Qipron. “Deklarata e BE përmban shprehje të papranueshme për vendin tonë, duke u shërbyer interesave të Greqisë dhe të Qipros”, u deklaroi gazetarëve zëdhënësi i ministrisë së jashtme turke Hami Aksoy.

Ndaje me miqte