0030 210 33 18 483

Lajmet nga Greqia për ditën e hënë, 23 prill 2018

Tribuna TV 23 Prill 2018

"Ajo që ndodhet në horizont është një dalje e pastër nga programi i shpëtimit, që është një sukses dhe një zhvillim shumë i rëndësishëm”, ka deklaruar kryeministri Aleksis Tsipras, duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të SYRIZA-s, të hënën. Por tsipras ka theksuar se “kjo nuk do të thotë se po kalojmë dyert e parajsës dhe as se po rikthehemi në ditët e bollëkut e shpërdorimit”.

Aleksis Tsipras, ka refuzuar idenë e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan për shkëmbimin e dy ushtarakëve grekë që po mbahen në burg në Turqi, me tetë ushtarakët turq që kanë kërkuar azil politik në Greqi që prej korrikut 2016.

Një avantazh prej 13% i Demokracisë së re kundrejt SYRIZA-s rezulton në sondazhin e fundit. Partia më e madhe opozitare grumbullon 36,3% të preferencës së elektoratit, në kohën që partia e Aleksis Tsiprasit merr 23,3%. Në vend të tretë ndodhet Lëvizja e Ndryshimit (PASOK, Potami, etj.), me 9% dhe pasojnë Agimi i Artë me 7,1 dhe partia Komuniste me 6,7%.

Katër bankat e mëdha bankare greke (Banka e Pireut, Eurobank, Banka Kombëtare dhe Alpha Bank) e kalojnë stres testin e bankës qendrore Europiane dhe nuk kanë nevojë për “transfuzion” kapitalesh të reja, sipas gazetës ekonomike gjermane “Handelsblatt”.

Që nga mesnata kanë filluar grevat e përsëritura 24-orëshe që ka shpallur sindikata e korporatës së energjisë (DEH), kundër privatizimit të disa termocentraleve. Aktualisht, gjashtë impiante të DEH kanë ndërprerë funksionimin.

Pjesëtarë të grupimit anarkist “Rubikoni”, sulmuan të dielën ambasadën franceze dhe Institutin Francez në qendër të Athinës, duke hedhur sasi boje në fasadat e tyre. Sulmi i dënua nga ministria e jashtme greke.

Policia largoi mëngjesin e të hënës nga sheshi Safo në Mitilini refugjatët dhe emigrantët që po protestonin që të mërkurën. Operacioni u ndërmor pas përleshjeve pa precedent ndërmjet ekstremistëve të djathtë, policisë dhe refugjatëve.

Dy javë para përfundimit të kampionatit, AEK i Athinës ka fituar titullin kampion në Superligën greke për sezonin 2017-2018. Ky është titulli i 12-të në historinë e klubit dhe i pari pas vitit 1994. AEK-u fitoi ndaj Levadiakos 2-0 para 60.000 tifozëve që ndodheshin në shkallët e stadiumit Olimpik.

MOTI: Përgjithësisht mot i kthjellët, me vranësira lokale në perëndim dhe në jug të vendit. Temperatura nga 9 deri 27 gradë celsius.

Ndaje me miqte