0030 210 33 18 483

Lajmet nga Shqipëria për datën 20 prill

Tribuna TV 20 Prill 2018

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon nga detyra prokuroren e Apelit Shkodër, Besa Nikëhasani, pasi sipas tij nuk e ka burimin e ligjshëm të blerjes së dy apartamenteve në Tiranë dhe një në Lezhë, dy garazheve në Tiranë dhe një automjeti. Vendimin e KPK prokurorja e ka duartrokitur në mënyrë ironike. 

Policia e Kosovës ka vënë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së Mario Majollarit, 28 vjeçarit shqiptar që u ekzekutua me tri plumba në kokë në zonën e ish-kinostudios në Tiranë pak ditë më parë. Burime të RTSH bënë me dije se Kastriot Gjuzi, i shpallur në kërkim nga policia shqiptare, u arrestua teksa ka tentuar që të futet në Kosovë, në zonën e pikës kufitare të Vërmicës.

Dy makina janë përplasur në Tropojë. Nga aksidenti ka humbur jetën pasagjeri M.D., 64 vjeç dhe kanë mbetur të plagosur 2 persona të tjerë, midis tyre një fëmijë 7 vjeç. Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Bajram-Curri- Fierzë paraditen e së premtes.

Në Gjykatën e Apelit të Shkodrës po zhvillohet seanca për masën e sigurisë ndaj 11 kuksianëve që mbahen ende në burg për protestën në Rrugën e Kombit. Pranë Gjykatës janë grumbulluar qytetarë që kërkojnë lirimin e 11 personave të arrestuar. “Lironi kuksianët, arrestoni Tahirin!”, shkruhej në pankartat e tyre. 

Një grup arkeologësh shqiptare dhe gjermanë kanë nisur gërmimet e para arkeologjike pas gati 30 vitesh në qytetin antik të Albanopolis në Krujë. Ata janë përqëndruar në nekropolin e qytetit ilir ku është zbuluar një varrezë e shekullit te 3-4 pas erës sonë, brenda të cilës u gjetën objekte të ndryshme.

Kryeministri Edi Rama sërish u ka bërë thirrje të rinjve që të ndjekin shkollat profesionale. Duke e cilësuar si një rrugë të sigurt punësimi, kryeministri inkurajoi që shkollat profesionale të shihen me prioritet edhe nga nxënësit me rezultate të larta. Duke folur në Olimpiadën e Aftësive, Rama premtoi se qeveria do të vazhdojë të nxisë profesionet.

MOTI në Shqipëri parashikohet me kthjellime dhe vranësira kalimtare. Temperaturat: në zonat malore 7/24, në zonat e ulëta 8/25 dhe në bregdet 10/26.

Ndaje me miqte