0030 210 33 18 483

Leja e qëndrimit: Ke para, e merr shpejt. S’ke para, prit në radhë, paguaj dhe gjobë...

Robert Goro 28 Mars 2018

Këto ditë na ra në dorë një shkresë që ministria e Emigracionit u dërgon gjithë drejtorive të shtetasve të huaj dhe emigracionit. Në shkresën që është dërguar në 9 mars 2018, tërhiqet vëmendja që të përshpejtohen ritmet e dhënies së lejeve të qëndrimit për gjithë ata të cilët aplikojnë për leje në bazë të programit Golden Visa, ose në shqip: Viza e Artë.
Po ç’është Golden Visa? Kështu është emërtuar një ligj i miratuar në 2014-n, sipas të cilit çdo shtetas i huaj, që blen një pasuri të patundshme në Greqi, me vlerë mbi 250.000 euro, ka të drejtë të pajiset me leje qëndrimi 5 vjeçare.
Edhe pse nuk janë mjaft të shumtë përfituesit e kësaj lejeje -deri tani numri ka arritur në diçka më shumë se 1000 vetë- në arkën e shtetit grek janë futur më tepër se 1 miliard euro. Shihet qartë pra, se çdo aplikues i Vizës së Artë është diçka si pula që bën vezë të arta...
Prandaj dhe është i kuptueshëm interesimi i shtetit grek, që “t’i mbajë me hatër” . 
“ Duhet bërë çdo përpjekje e mundshme, me qëllim që marrja e kërkesës, shqyrtimi dhe nxjerrja e këtyre lejeve të qëndrimit, të finalizohet brenda një periudhe dymujore, ashtu sikurse përcaktohet edhe nga ligji”, thuhet ndër të tjera në shkresën e ministrisë së emigracionit. 
Madje ministria udhëzon që të për marrjen e shenjave të gishtrinjve, "këta nuk duhet të mbyllin takim të veçantë, por i gjithë cikli i veprimeve të kryhet plotësisht ditën e vetme që këta do të paraqiten pranë shërbimeve”. Dhe shpjegon edhe arsyen:
“Thirrja e të interesuarve për një kohë tjetër, do t’u shkaktojë atyre kosto të shtuar dhe sorollatje, pasi do të lipset të bëjnë një udhëtim tjetër në Greqi”.
Sigurisht që nuk ka asgjë të keqe – përkundrazi-, që ministria të jepe udhëzime të tilla për të privilegjuar një kategori të caktuar njerëzish që paraqiten për t’u pajisur me leje qëndrimi.
Por nga ana tjetër, nuk ka si mos të mendosh që sa mirë do të ishte sikur ministria të tregonte të njëjtën vëmendje dhe të njëjtin interesim, edhe për ata dhjetra e qindra mijëra emigrantë që tash tre dekada heqin të zitë e ullirit për të marrë atë të shkretë leje qëndrimi.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se ministria është interesuar për të gjithë këta. Madje më herët nga sa për “pulat që bëjnë vezë të arta”. Mirëpo interesimi ka qenë në një kah tjetër, që jo vetëm nuk i ndihmon, por më keq akoma, i penalizon emigrantët.
Më 22 shkurt 2018, kemi një shkresë të ministrisë që nënvizon se “Lejet e qëndrimit që skaduan nga 18.12.2017 deri më 17.1.2018 dhe që rinovimi i tyre ishte i mundur të bëhej në bazë të dispozitave të citimeve 2 dhe 3 në paragrafit 1, neni 9 të ligjit 4251/14, do të rinovohen me vënien e gjobës së parashikuar, me vlerë 50 euro”.
Që mos t’ju sorollatim, citimet e nenit 9 përcaktojnë që kërkesa për rinovimin e lejes së qëndrimit bëhet në një afat prej dy muaj para kohës së skadimit.
Por këtu fillon “gallata”, që është për të vënë kujën. Më thoni, cili emigrant ka mundur të mbyllë takim për rinovimin dy muaj para skadimit të lejes?
Më e mundshmja është që të ketë mbyllur për dy muaj më vonë dhe këtu nuk është se punonjësit e shërbimit të emigracionit ia bëjnë për ta sorollatur. Mirëpo kështu shkon rrjedha e punës: vonesa që ka filluar vite më parë ndjek një progresion gjeometrik dhe diku rrugës humbet numërimi.
Problemi është se çështja e gjobës 50 euro nuk është e re; e përmban Kodi i Emigracionit. Por ajo thjesht nuk është zbatuar rigorozisht, pse edhe vetë drejtuesit e shërbimit të emigracionit ishin të ndërgjegjshëm që në shumicën e rasteve emigrantët nuk kishin asnjë faj.
Tani ministria sjell në vëmendje çështjen e gjobës dhe ajo që të revolton është se kjo kujtesë bëhet në kuadër të punës për tejkalimin apo “mballosjen” e problemit që u shfaq në mesin e janarit dhe kishte të bënte me daljen jashtë përdorimit të sistemit kompjuterik, me ç’rast u krijua një katrahurë e re dhe gjithë takimet që ishin mbyllur u shtynë për një e më shumë muaj.
Në vend që ministria të kërkonte një ndjesë për një tjetër problem që iu krijua emigrantëve pa pasur asnjë faj këta të fundit, u tund tani kërbaçin e gjobës.

Ndaje me miqte