0030 210 33 18 483

Letër e hapur drejtuar kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Leon LEKAJ

08 Dhjetor 2018

Është fakt tashmë zoti kryeministër, që do të ishte e kotë që t’i drejtohesh një tjetër institucioni, kur shqiptarët e dinë se të gjitha pushtetet janë në duart e tua. E kam fjalën për studentët, të cilët në ditën e tyre të tretë, vazhdojnë të mbushin sheshet. Duket qartë se thika jote e mprehur mjeshtërish nga të dyja anët preku kockën, atë kockë të brishtë, e cila di të reagojë me dinjitetin e saj të papërlyer. Sloganin e tyre, edhe pse zotëria Juaj, nuk mbërriti ta kapë, apo ia desh puna që të bënte të paditurin, e ka marrë sovrani. 
“Nuk ndjehemi të varfër, më shumë se sa ndjehemi të vjedhur”. 
Kaq! Sa pak për të thënë shumë, por sa shumë për të thënë pak. Ju, i dashur kryeministër, si zakonisht nuk harruat të hidhnit në lojë zarin Tuaj të radhës, si “institucion” me qëllimin e vetëm diabolik, që të sensibilizoje masat e gjëra se “kostoja do të binte mbi popullin e thjeshtë”. Po kush ishte zari i radhës, i cili për hir të së vërtetës, jo pak herë ka mundur, si një grimb gërryes të depërtojë në shtresa të pambrojtura të njerëzve të mirë të vendit tim?
Pas kazanit, malokut, timonit e tepsisë, shpellarit, kadrinjve, llumit mediatik e të tjera si këto, Ju, Zoti kryeministër, hodhët në lojë “institucionin e ngelësave” dhe mua më pëlqen të ndalem pikërisht këtu, pasi jetoj jashtë kufijve të Atdheut tim, në vendin fqinjë, i cili prej vitesh po përballet me një krizë të pashembullt...
POR...
Mjafton kjo lidhëse kundërshtuese, që ti ta kuptosh se shpikja jote e radhës kësaj here të ka lënë në klasë. Përmenda fjalën krizë, por në asnjë prej universiteteve shtetërore këtu, nuk paguhet qoftë edhe regjistrimi, por përkundrazi, stimulohen studentët. Madje, ligji i ri, iu jep atyre të drejtën e dy viteve shtesë, (ose provime të mbartura, thënë me gjuhën Tuaj). Përveç kësaj, këtu studentët trajtohen si shtresa më e varfër e popullsisë, duke iu dhënë bonus në institucionet shtetërore, në të gjitha muzetë, tarifat e tyre janë më të ulta, apo në të gjitha mjetet e qarkullimit, si autobuzave, troleve, trameve, trenave elektrik, apo metrove. (abonetë e tyre janë me 50% zbritje), apo edhe deri nëpër tragetet dhe linjat ndërurbane.
Zoti Kryeministër!
Bartja e një provimi, mund të jetë edhe thjesht një neglizhencë e studentit, por mund të jetë edhe diçka shumë më ndryshe nga kjo. Ka shumë prej tyre, të cilët nuk mund të ushqehen më me pagat tepër të ulta, me të cilat paguhen prindërit e tyre dhe si pasojë e kësaj, detyrohen të punojnë part time, apo edhe diçka më shumë, kur peu i tyre ekonomik është gati në të këputur. Pra, ju nuk mund t’i paragjykoni ata dhe ti fusni të gjithë tek thesi i “ngelësave”. 

Zoti Kryeministër!
E kuptoj oreksin Tuaj për të bashkëbiseduar me studentët. Si një dhelpër e vjetër, e cila tashmë ka ndjerë tymin t’i hyjë në strofkullën e saj të qetë, Ju po kërkoni daljen tjetër, atë të fshehtën atë, që i ngjet veprimit të një xhokatori mjeshtër me asin e vet nën mëngë. Më mirë se kushdo, sidomos mbas tentativës suaj të dështuar për të futur në lojë zarin e ngelsave, e dini Ju, se poshtë këmbëve Tuaja vlojnë me qindra pakënaqësi, të cilat ti ishe i gatshëm t’i shuaje me mjetet e propagandës tënde, me mënyrat e fëlliqura të përçarjes, me lekët e pista të kriminelëve, të cilët janë rreshtuar në krahun Tuaj, qysh prej ditës që hytë në pushtet. Por oborrtarët Tuaj, si në përrallën e mbretit lakuriq të Andersenit, të nanurisnin në vesh fjalë të ëmbla, të cilët Ju çonin tek ideja e Liderit botëror dhe tani që ato pakënaqësi kanë ndezur dritat e tyre nëpërmjet një vatre të fuqishme vullkanike, kërkon me doemos një perëndi të re, një magjistar të plotfuqishëm, a diçka të ngjashme me to, mjafton që ajo llavë pakënaqësie të mos mërrijë deri tek froni yt. 
JO! Vetëm kapitullimi pa kushte ndaj kërkesave të tyre të drejta, të cilat nëpërkëmben prej arrogancës Suaj dhe të qeverisë që drejtoni, mund ta shpëtojë edhe këtë radhë karrigen Tuaj aq të dëshiruar. Veç mos harroni i nderuar lider, se ata po ju japin një mësim, ata po dinë denjësisht të zgjojnë në popullin e tyre të nëpërkëmbur, ndjenjën e revoltës, ata po thyejnë mitin e pashyeshmërisë Suaj dhe të makinës tashmë të fëlliqur prej qindra skandalesh të rilindjes. Dhe më mirë se kushdo këtë e dini Ju. Ju dhe oborrtarët Tuaj, turinjtë e të cilëve janë të jargosura prej kënaqësisë tek shohin një Lider si Ju që i mban siç mbajmë delet e bindura në një vath. Ndryshe në imazhin tim i ngjani një Çaplini modern, i cili vrapon si i çmendur për të mbyllur një e nga një vatrat e pakënaqësive popullore, pa e kuptuar se gjatë kohës që nget si i marrë që të vulosë njërën prej tyre, kanë shpërthyer dy të tjera.
Zoti Kryministër!
Studentët po flasin. Më zë, me figurë, me vepra! Harrojini “kadrijtë” tuaj dhe të pasmet e makinës luksoze, prej nga na bëni të “gajasemi” së qeshuri dhe bjeruni në gjunjë atyre. Ti dhe ministrat e tu, të cilët, të instruktuara prej liderit global, nuk e njohin fjalën dorëheqje. Më elementarja, e cila do të qetësonte disi protestuesit më paqësor të të gjitha kohërave, ata, që ditën aq bukur të mbledhin nëpër qeskat plastike letrat e byrekëve 300 lekësh, me të cilët një pjesë e tyre ushqehet. Lutjuni atyre, ndryshe, ndonjë prej kazanëve që ti ke shpikur në mendjen tënde diabolike do të mbushet me llavën e zëmërimit të tyre dhe pastaj...mbetet ti lutesh vetëm Zotit, zoti kryeministër.
Leon Lekaj Athinë 07/12/2018

Ndaje me miqte