0030 210 33 18 483

Libri me pyetjet e nënshtetësisë greke, Pjesa 2

TV TRIBUNA 08 Nentor 2019

HISTORIA

ANTIKITETI I PERIUDHA HELENISTIKE – PUSHTIMI ROMAK (3.000 p.e.s. – 330 e.s)

Territori grek u banua nga njerëz shumë herët, rreth vitit 70.000 p.e.s. ndërkaq, fiset e para greke nisën të mbërrijnë në vitin 3000 p.e.s. më kryesori nga këto fise ishin Akejtë (Ahai), të cilët krijuan të parin shtet të fuqishëm në Greqinë kontinentale dhe morën edhe kontrollin e detit Egje.

Qytetërimi i Mikenasve (Mikinaikos) dhe më herët, Minoik (Minoikos) janë dy qytetërimet e para të mëdha që u shfaqen në territorin grek.

Posaçërisht qytetërimi Mikenas dëshmon qartë pasurinë dhe fuqinë e mbretërve të tij.

Duket se Mikenasit e kuptuan se ishin shumë të fuqishëm dhe prandaj nisën fushatën kundër Trojës (rreth vitit 1184 p.e.s.), një qytet i pasur që ndodhej në një pozitë shumë të mirë gjeografike (në Azinë e Vogël veriperëndimore).

Luftës së Trojës i referohen poemat e Homerit “Iliada” dhe “Odisea” që quhen edhe “Epet homeriane” – Omirika Epi).

Këto poema konsiderohen nga krijimet më të madhërishme njerëzore.

Pas Akejve erdhën Dorijtë (Doriis), rreth vitit 1100 p.e.s., që e shpërbënë shtetin dhe poër shumë kohë Greqia nuk njohu progres.

Kjo periudhë, meqë vizatimet që përdoreshin në art ishin viza dhe rrethe, u quajt periudha gjeometrike dhe vazhdoi për rreth 3 shekuj (11-9).

Kur më vonë u krijuan qytet-shtetet (fundi i shek..8 fillimi i shek. 7 p.e.s), grekët nisën të përparojnë gjithandej, në letërsi, në art, në shkencë. Ata krijuan Historinë, Filozofinë, Teatrin.

Gjithashtu menduan dhe zbatuan Demokracinë si sistemin më të mirë shtetëror.

Megjithëse jetonin në qytet të vegjël e të ndarë, të gjithë e kuptonin se ishin grekë.

Prandaj, kur erdhën persët nga lindja me qëllim që t’i nënshtrojnë, ata u bashkuan dhe ndërsa ishin shumë më pak numerikisht, i mundën persët dhe kthyen mbrapa (490-479 p.e.s.).

Pas kësaj fitoreje, grekët e kuptuan më mirë ndryshimin e tyre nga barbarët.

Domethënë, kuptuan vlerën e lirisë, të masës dhe të harmonisë dhe kështu krijuan vepra arti që sot admirohen nga e gjithë bota. 

Kjo epokë emërtohet si Klasike (shek. 5-4 p.e.s.) dhe lidhet më shumë me qeverisjen e Demokracisë Athinase nga Perikliu.

Nga gjithë qytetet antike greke më të fuqishmet ishin Athina, Sparta dhe Thiva.

Këto qytete, njeri pas tjetrit, tentuan t’i nënshtrojnë qytetet e tjerë (hegjemoni), por në këto përpjekje u shkaktuan shumë luftëra civile.

Më e madhja nga këto ishte lufta e Peloponezit që përballi Athinën me Spartën dhe zgjati 27 vjet.

Kjo luftë ua shteri fuqitë gjithë qytet-shteteve dhe solli degradimin e tyre.

Një fuqi e re greke u shfaq nga Maqedonia dhe i nënshtroi gjithë të tjerët. Ky ishte shteti i mbretit Filip (356-336 p.e.s.).

Filipi i bashkoi të gjithë grekët, ndërsa i biri, Aleksandri i udhëhoqi të bashkuar drejt Azisë (336 p.e.s.).

Me pushtimet e Aleksandrit, të cilit historianët europianë në shekullin e 19-të e quajtën “I Madh”, qytetërimi grek i njohur deri atëherë vetëm në brigjet e Mesdheut, mbërriti deri në thellësitë e Azisë. Lindi atëherë një qytetërim botëror dhe meqenëse shumica e elementëve ishin grekë, u quajt helenistik.

Më kryesori nga këto elementë ishte gjuha greke që u përhap thuajse në gjithë botën e atëhershme.

Perandoria e Aleksandrit nisi të shpërbëhej pas vdekjes së tij (323 p.e.s.).

Greqia e sotme, kur u pushtua nga romakët (146 p.e.s.) u bë edhe ajo provincë romake. Pavarësisht nënshtrimit ndaj romakëve, shpirti grek vazhdoi të jetojë dhe të jetë model krijimtarie.

Ju uroj, tashmë që po mbarojnë luftërat, të jeni të lumtur me paqen. Tash e tutje të gjithë njerëzit të jetojnë si një popull i bashkuar për të mirën e përbashkët. Konsideroni botën si atdheun tuaj. Me ligje të përbashkëta, ku do të qeverisin më të mirët, pavarësisht racës. Nuk i ndaj njerëzit, në grekë dhe në barbarë, siç bëjnë mendjeshkurtërit. Nuk më intereson origjina e qytetarëve, as raca e tyre, i seleksionoj ata me vetëm një kriter: virtytin. Për mua, çdo i huaj i mirë është grek dhe çdo grek i keq është më i keq se nga barbari. Nëse ndonjëherë lindin mosmarrëveshje nuk do t’u drejtoheni kurrë armëve, por do t’i zgjidhni ato paqësisht. Në rast nevoje, do të jem unë gjyqtari juaj. Zotin nuk duhet ta konsideroni si një qeveritar autarkik, por si një baba të përbashkët të të gjithëve, me qëllim që sjellja juaj t’i ngjajë jetës që bëjnë vëllezërit në familje. Nga ana ime ju konsideroj të gjithëve të barabartë, të bardhë apo zeshkanë dhe do të doja të mos ishit vetëm nënshtetas të federatës time, por pjesëmarrës, të gjithë partnerë. Sa kalon nga dora ime do të përpiqem të realizohen ato që premtoj. Betimin që bëmë sonte ruajeni si një kontratë dashurie.

Betimi i Aleksandrit të madh në simpoziumin e gjithë kombeve të federatës së tij në qytetin Opida, 324 p.e.s.

 

BIZANTI (330-1453)

Shteti i paanë romak u nda në fillimet e shekullit 4, në dy pjesë të mëdha: Pjesën perëndimore dhe pjesën Lindore.

Shteti lindor romak kishte për kryeqytet një qytet të ri që e krijoi perandori Konstantin 9330 e.s.), dhe prandaj u quajt Konstantinopolis.  Ky shtet, ku shumica e banorëve flisnin greqisht dhe ishin bërë të krishterë, evoluoi në atë që emërtojmë perandoria Bizantine për shkak të emrit të lashtë të qytetit që ishte “Bizant”. Pjesë e perandorisë së Bizantit ishte dhe Greqia e sotme.

Kulmin e fuqisë e arriti në shekullin 11, kur sundonte Dinastia Maqedonase. Mirëpo në të njëjtën periudhë, dy kishat e krishtera, lindorja dhe perëndimorja, Patriarku dhe Papa kishin mospajtime kaq të mëdha për mënyrën se si besimtarët duhej të adhuronin zotin, saqë u ndanë krejt ndërmjet tyre. Kjo situatë u emërtua “skizma” (1054) dhe vazhdon edhe sot ndërmjet ortodoksëve dhe katolikëve.

Përfundimisht, Konstandinopoli u pushtua nga turqit të udhëhequr nga sulltan Muhameti 2, në 29 maj 1453 dhe kjo ngjarje përmendet si “Alosi” = Rënia e Konstantinopolisit.

 

Pushtimi turk – revolucioni (1453 – 1830)

Sa kohë vazhdoi sundimi turk (400 vjet), grekët arritën të mbijetonin, me gjithë përndjekjet e mëdha dhe përgjithësisht masat shumë të ashpra që zbatoi kundër tyre pushtuesi.

Me kujdesin e kishës dhe të disa pak intelektualëve, u krijuan SHKOLLAT E FSHEHTA, dhe filluan të mësonin historinë dhe bëmat e paraardhësve, që mos të harronin identitetin e tyre grek. Në këtë përpjekje u mbështetën edhe nga patriotë të tjerë që ishin pasuruar jashtë vendit, nga tregtia.

Grekët asnjëherë nuk kishin reshtur së luftuari kundër pushtuesit. Për këtë qëllim kishin krijuar çeta ushtarake që quheshin ARMATOLI dhe KLEFTES.

Në 1821 gjykuan se mund të realizonin Revolucionin e madh që të gjenin lirinë e tyre. Në këtë vendim u frymëzuan edhe nga idetë e revolucionit Francez që predikonin të drejtën e çdo populli për të jetuar si komb i lirë.

Ishin përgatitur edhe nga një organizatë e fshehtë revolucionare, “Filiki Eteria” (1814).

Revolucionin Grek e filloi në shkurt 1821 kreu i organizatës Filiki Eteria, ALEKSANDROS IPSILANTIS, një oficer i aftë i ushtrisë së carit rus Aleksandër, nga Rumania e sotme, ku jetonin shumë arkondë dhe tregtarë grekë. Por përpjekja e tij dështoi.

Por një muaj më vonë, filloi një tjetër kryengritje, në Peloponez (25 mars 1821), e udhëhequr nga krerët politikë dhe ushtarakë të grekëve dhe nga klerikët. Kryengritja u shtri në pjesën kontinentale dhe ishullore të vendit, duke dominuar.

Revolucioni Grek ishte lëvizja e parë kombëtare që ia arriti qëllimit, ndonëse hegjemonët e Europës ishin armiqësorë ndaj revolucionit. Mirëpo me kalimin e kohës nisën të ndryshojnë, kur panë se Turqia nuk mundej ta shtypte revolucionin dhe grekët kishin shënuar një sërë suksesesh.

Ngjarjet që emocionuan më shumë opinionin publik europian ishin:

Shkatërrimi i Hios (1822)

Shkatërrimi i Psaron (1824)

Çarja e rrethimit në Mesolongji = EKSODOS TU MESOLOGIU (1826).          

Grekët, pasi çliruan pjesën më të madhe të vendit, u organizuan edhe politikisht, duke votuar një kushtetutë liberale dhe demokratike. Mirëpo qeveria, si revolucionare që ishte, nuk u njoh nga fuqitë e mëdha (Anglia, Franca, Rusia, Austria, Prusia).

Revolucioni u rrezikua edhe nga përçarja e grekëve, por edhe nga aleanca e sulltanit me sundimtarin e Egjiptit Mehmet Aliu (1825). Mirëpo, ndërhyrja e armatosur e fuqive të mëdha e shpëtoi revolucionin. Në tetor 1827, flota e bashkuar e anglezëve, rusëve dhe francezëve, fitoi betejën detare të Navarinos (në Pilo të Peloponezit).

Pas betejës së Navarinos, fuqitë europiane dhe kryesisht Anglia, duke shqyrtuar interesin e tyre, e kuptuan se ishte më mirë të krijohej një shtet grek, i lirë dhe i pavarur, me territore që më përpara i takonin perandorisë osmane.

Kjo u vendos me Traktatin e Londrës, më 3 shkurt 1830 dhe konsiderohet edhe fillimi i historisë së re greke.

 

Shteti Neogrek i shekullit 19

Shteti i ri grek ishte shumë i vogël në shtrirje dhe kufizohej në Peloponez deri fare pak më sipër në Greqinë kontinentale dhe në disa ishuj.

Kryeqytet i shtetit të ri grek ishte NAFPLIO. Guvernatori i parë, JOANIS KAPODISTRIAS, u përpoq ta bënte shtet dhe të zgjerojë kufijtë, po për fat të keq u vra nga kundërshtarët e tij (1831).

Atëherë fuqitë e mëdha ranë dakord që Greqia të qeverisej nga një mbret, bavarezi, OTON (1832).

Mirëpo të huajt e shumtë që mbreti solli me vete dhe vendimi i tij që të qeverisë vetëm ai, pa kushtetutë, e bënë popullin që të çohet në kryengritje. Kryengritja e detyroi mbretin që të pranonte kushtetutën (3 shtator 1843). Nga kjo ngjarje mori emrin sheshi SYNTAGMA (= Kushtetuta) në Athinë, që ndërkohë ishte bërë nga viti 1834 kryeqytet i shtetit.

Populli vazhdonte të mos e donte mbretin Oton dhe ai u detyrua të largohej më 1862 (EKSOSI). Në vend të tij fuqitë e mëdha sollën mbretin Jorgo i parë Gliksburg.

Për sa grekët e lirë e dinin që shumë më tepër vëllezër të tyre ndodheshin ende në tokat e pushtuara nga turqit, nuk mjaftoheshin me kufijtë që u kishin dhënë europianët. Qëllimi i tyre që të çlirojnë edhe grekët e tjerë dhe kufijtë të shtrihen deri aty ku gjendeshin ata, u quajt ideja e Madhe = MEGALI IDEA.

Në fillim të shekullit 19, i vetmi komb ballkanik që kishte krijuar shtet të lirë dhe të pavarur ishte Greqia. Ndërsa popujt e Ballkanit solidarizoheshin me njeri-tjetrin në lëvizjet e tyre çlirimtare në fund të shek. 19 dhe fillimit të shek.20, po konfrontoheshin për hapësirën e Maqedonisë. Këtë territor grek, ndërsa ishte ende nën pushtimin turk, e pretendonin gjithë popujt fqinjë, por më e ashpër ishte përplasja ndërmjet Greqisë dhe Bullgarisë. Bullgarët përpiqeshin me mënyra të ndryshme të ndryshonin identitetin kombëtar të popullatave greke. Atëherë, ushtarakë grekë, në fillim vetëm dhe pastaj me mbështetjen e shtetit, krijuan grupe të armatosura, MAQEDONOMAKES dhe nisën të mbroheshin kundër bullgarëve. Lufta e maqedonisë (MAQEDONIKOS AGONAS) vazhdoi me shumë viktima deri në vitin 1908.

Në planin e brendshëm, Greqia arriti të modernizohej nën udhëheqjen e një politikani progresiv, kryeministrit HARILAOS TRIKUPIS (1832-1896). Trikupis hodhi bazat e zhvillimit industrial dhe të administratës publike. Vepra të tij janë rrjeti hekurudhor (1882) dhe kanali i Korinthit (1893). Mirëpo nuk i përllogariti mirë kapacitetet financiare dhe në 1893 u detyrua të pohonte falimentimin (PTOHEFSI) e Greqisë.

Kështu, në fund të shekullit 19, Greqia paraqitej e dobët ekonomikisht dhe e izoluar  në arenën ndërkombëtare.

Ndaje me miqte