0030 210 33 18 483

Lija e Majmunëve: OBSH shpall emergjencë globale, çfarë duhet të dimë dhe sa e rrezikshme është ?

Tribuna News 15 Gusht 2024

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli të mërkurën se shpërthimi i lisë së majmunëve, e njohur si mpox, në Afrikë përbën një emergjencë globale për shëndetin publik. Ky shpallje vjen si një alarm për mundësinë që kjo sëmundje të përhapet në të gjithë botën.

 

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, bëri këtë njoftim pas një takimi të komitetit për emergjenca të agjencisë shëndetësore të Kombeve të Bashkuara. Po ashtu, Qendra Afrikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve shpalli këtë javë emergjencë për shëndetin publik në Afrikë.

 

Sipas të dhënave të OBSH-së, këtë vit janë raportuar 14,000 raste dhe 524 vdekje nga lija e majmunëve në Afrikë, duke tejkaluar numrin e rasteve të vitit të kaluar. Më shumë se 96% e këtyre rasteve dhe vdekjeve janë ndodhur vetëm në Republikën e Kongos. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK) njoftoi se nuk ka raste të raportuara me lija të majmunëve në Kosovë dhe u bëri thirrje qytetarëve për kujdes.

 

Shkencëtarët janë të shqetësuar për përhapjen e një varianti të ri të sëmundjes në Kongo, i cili mund të bartet më lehtë mes njerëzve. Lija e majmunëve, e identifikuar për herë të parë në vitin 1958, zakonisht ndodh në Afrikën Qendrore dhe Perëndimore. Megjithatë, në vitin 2022, shpërtheu përmes kontaktit seksual dhe u përhap në më shumë se 70 vende.

 

Në Afrikë, numri i rasteve është rritur ndjeshëm, me raportime të shpërthimeve në të paktën 13 shtete dhe një rritje të rasteve dhe vdekjeve krahasuar me vitin e kaluar. Shkencëtarët po monitorojnë një lloj të ri të virusit që shkakton simptoma më të forta dhe shpërndahet më lehtë.

 

Deklarata e emergjencës globale nga OBSH-ja ka për qëllim të nxisë veprimin nga donatorët dhe shtetet. Megjithatë, reagimi global ndaj shpalljeve të emergjencave në të kaluarën ka qenë i përzier. OBSH-ja ka ndarë 1.45 milion dollarë për luftimin e lisë së majmunëve në Afrikë dhe ka kërkuar 15 milion dollarë të tjera për mbështetje.

Çfarë duhet të dimë për linë e majmunëve:

- Simptomat: Temperatura, ethe, dhimbje trupi dhe në rastet më të rënda, plagë në fytyrë, duar, gjoks dhe organe gjenitale.

- Përhapja: Eshte identifikuar në disa vende të Afrikës dhe po monitorohet për përhapje të mundshme në të gjithë botën.

- Masat e kontrollit: Përfshijnë përdorimin e vaksinave dhe mjekimeve, të cilat janë të vështira për t’u aksesuar në Afrikë.

 

Në përpjekje për të ndaluar përhapjen, vaksina dhe trajtimet janë të rëndësishme, veçanërisht për ata që janë më të ekspozuar ndaj rrezikut, si fëmijët dhe ata që jetojnë në rajonet e prekura nga virusi.

 

Ndaje me miqte