Lobi Euro Atlantik Shqiptar ka përshëndetur formimin e qeverisë së re të Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti.
Në telegramin e urimit të nënshkruar nga kryetari i Lobit, Shukri Ymeri dhe që iu drejtohet gjithë shqiptarëve, nënvizohen pritshmëritë për realizimin e gjithë premtimeve të programit elektoral. Lobi gjithashtu shpreh gatishmërinë për mbështetjen pa rezerva të qeverisë së re, duk qenë e hapur për partneritet, në dobi të interesave të shqiptarëve kudo që ndodhen.
Kryesia e Lobit Euro-Atlantik Shqiptar uron zotin Albin Kurti për marrjen e detyrës në postin e Kryeministrit dhe formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës, me dëshirën dhe sinqeritetin me të madh duke i dëshiruar punë të mbarë në realizimin e detyrimeve shtetërore, kombëtare e qytetare!
Lobi Euro-Atlantik Shqiptar, ka besimin e plotë tek Kryeministri aktual dhe partnerët e tij të koalicionit qeverisës dhe pret nga ai dhe ata së bashku që të arrijnë realizmin e të gjitha premtimeve para elektorale; projekteve qeverisëse, si dhe angazhimin e tij intensiv në përparimin e marrëdhënieve dhe raporteve të ngushta vëllazërore me Shqipërinë dhe atë në të gjitha fushat e veprimit si në shëndetësi, arsim, ekonomi, tregti, zhvillim industrial, mbrojtje, marrëdhënie ndërkombëtare dhe në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë si brenda ashtu dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Lobi Euro-Atlantik Shqiptar kërkon nga kryeministri Kurti dhe qeveria e tij që ta thellojnë bashkëpunimin me Qeverinë shqiptare në proceset zhvillimore dhe ato të integrimeve euroatlantike.
Organizata e Lobit Euro-Atlantik Shqiptar shpreh po ashtu gatishmërinë e saj të plotë dhe mbështet pa rezervë Qeverinë e sapo formuar të Republikës së Kosovës dhe e njofton Kryeministrin Kurti se Organizata jonë LEASH-i në kuadër të Platformës për bashkimin e Mërgatës shqiptare anë e mbarë botës, do të jetë e hapur për partneritet të përhershëm me institucionet shtetërore të Kosovës, dhe do të jetë gjithmonë në shërbim të interesave kombëtare dhe gjithë Shqiptarëve kudo që janë.
Kryesia e Lobit Euro-Atlantik Shqiptar
SHUKRI YMERI, kryetar (Lörach-Gjermani)