0030 210 33 18 483

Lobi Euro Atlantik Shqiptar shënoi 3-vjetorin e themelimit

Tribuna TV 23 Dhjetor 2019

Kryesia qendrore vizitoi edhe ambasadën e Kosovës dhe atë të Shqipërisë, ku mori mbështetje të fuqishme për punën e mëtejshme.

Në selinë e tij në Lörrach të Gjermanisë, Lobi Euro Atlantik Shqiptar, shënoi solemnisht tre vjetorin e themelimit. Në këtë takim  u fol për punën dhe aktivitetin e Lobit në periudhën trevjeçare si dhe për punën e vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve në vende të ndryshme ku ai ka degët, dhe në ato vende ku do të hapen degët e reja.

Kryesia e Lobit u zgjerua edhe me 6 anëtarë të rinj si domosdoshmëri e rifreskimit të kryesisë dhe zëvendësimit të atyre që nuk janë në gjendje të punojnë, por  vetëm të bëjnë shantazhe të vazhdueshme. Gjithashtu u paraqiten edhe synimet e Lobit për periudhën e ardhshme në mbështetje të bashkatdhetarëve tanë në të gjitha sferat e jetës dhe punës, duke qenë urë lidhëse me dy shtetet tona.

Kjo u dëshmua edhe në takimet që kryesia e Lobit pati me ambasadoren e Republikës së Kosovës në Zvicër, Nazane Breca si dhe me ambasadorin e Shqipërisë në këtë vend, Ilir Gjoni.

Nga kryesia  e Lobit Euro Atlantik Shqiptar që udhëhiqej nga kryetari Shukri Ymeri, u kërkua një bashkëpunim më i fuqishëm me të gjitha institucionet tona shtetërore si dhe depolitizimi i mërgatës  sonë. Po ashtu u kërkua që të shtohen përpjekjet për hapjen e më shumë shkollave me mësim plotësues në gjuhën   shqipe, gjithandej ku ka shtrirje  mërgata shqiptare.  Pas pritjes së ngrohtë e vëllazërore si nga ambasadorja  znj. Nazane Breca e po ashtu dhe nga ambasadori i Shqipërisë  z. Ilir Gjoni, u dhanë premtime të fuqishme në mbështetjen më të mirë të mundshme në punën e mëtutjeshme të Lobit Euro Atlantik Shqiptar.

Nga ana e Lobit, kërkohet po ashtu edhe një mbështetje  më e madhe për mërgatën , nga  ana e medieve publike  dhe të atyre me licencë kombëtare, në të dy vendet.

Ndaje me miqte