0030 210 33 18 483

Lokdauni: çfarë lejohet dhe çfarë jo deri në 7 janar 2021

TV Tribuna 07 Dhjetor 2020

Zëdhënësi i qeverisë greke, SteliosPetsas, ka komunikuar të hënën se cilët sektorë të veprimtarisë ekonomike dhe shoqërore do të qëndrojnë mbyllur deri në 7 janar 2021.

STELIOS PETSAS: Përmirësimi i të dhënave epidemiologjike dhe rënia e ngarkesës virusale është e ngadaltë.

Më ngadalë nga ç’pritej, për shkak edhe të lodhjes së të gjithë neve, pas 10 muajsh beteje me armikun e padukshëm dhe dinak, koronavirusin.

Është indikative të themi që duke krahasuar lokdaunin e dytë me të parin, lëvizja e njerëzve është rritur me rreth 20%, ndërsa masat kufizuese pas mbylljes së shkollave janë në thelb të njëjtat.

Sipas të dhënave më të fundit, ka një stabilizim relativ ose dhe një ulje të lehtë të mesatares së rasteve.

Gjithashtu, pavijonet e reanimacionit po kapen më pak ndërsa rritet numri i shtretërve të thjeshtë Covid-19.

Vëmë në dukje se mesatarja e rasteve ditore ka shkuar në 1.609, kundrejt 2.352 rasteve ditore në periudhën 5-11 nëntor (java e parë e lokdaunit të dytë) dhe 2.674 raste në periudhën 12-18 nëntor, kur u shënua dhe numri më i madh i rasteve të reja ditore.

Numri i të shtruarve mbetet i lartë: 4.008 kundrejt 4.079 në 20 nëntor.

Ndërsa mesatarja e shtrimeve ditore është ulur në 343 kundrejt 447 po në 20 nëntor, me shtrimet të jenë të barabarta me daljet nga spitali.

Ndërkaq, me një numër kaq të madh pacientësh të intubuar dhe pavijoneve të zëna, sistemi kombëtar shëndetësor vazhdon të jetë nën presion dhe mjekët, infermierët dhe personeli tjetër po bëjnë përpjekje mbinjerëzore që të ofrojnë shërbimet më të mira dhe të shpëtojnë jetë.

Me këto të dhëna, dhe meqë mbrojtja e shëndetit publik dhe e jetës njerëzore nuk vihen në asnjë balancë, çdo rikthim në normalitet do të duhet të bëhet gradualisht dhe me siguri.

Rruga jonë do të jetë më e ngadaltë, por më e sigurt.

Mbi këtë bazë, pas rekomandimeve përkatëse nga komisioni i ekspertëve, qeveria komunikon sot se cilët sektorë të ekonomisë dhe veprimtarisë shoqërore nuk do të hapen deri në fund të festave.

Konkretisht, deri të enjten 7 janar 2021 ora 06 e mëngjesit, mbeten të mbyllura:

Shkollat, gastronomia, argëtimi, gjykatat, veprimtaritë sportive (me përjashtim të kampionateve profesioniste të Super Legue në futboll dhe Basket League në basketboll), pistat e skive.

Gjithashtu, shtyhet deri në të njëjtën datë dhe orë, ndalimi i lëvizjeve nga njeri rreth në tjetrin, ndërsa vazhdon të mbetet në fuqi ndalimi i grumbullimeve dhe lëvizjes në orët e natës.

Siç vazhdojnë të jenë në fuqi rregullat përkatëse për punën në distancë dhe ushtrimin sportiv, deri në tre persona dhe për sporte individuale.

Për gjithë ata që kthehen nga jashtë Greqisë, përtej procedurës së njohur të paraqitjes së PLF, duhet të kenë përgjigjen negative të testit molekular (PCR) 72 orë përpara, do t’i nënshtrohen rapid testit gjatë hyrjes në Greqi dhe do të qëndrojnë në karantinë 10 ditore nëse hyjnë në Greqi në periudhën nga e premtja 18 dhjetor deri të enjten 7 janar 2021.

Sa i përket kthimit të përhershëm në vendin e banimit, do të zbatohen rregullat ekzistuese që të kenë me vete formularin E1 dhe E9.

Duke vlerësuar zhvillimet e të dhënave epidemiologjike ditët e ardhshme, posaçërisht për kishat, floktoret dhe tregtinë me pakicë, do të bëhen komunikime të reja në fund të javës.

Posaçërisht për funksionimin e kishave në periudhën e festave, do të ketë ditët e ardhshme një komunikim të kryeministrit me kryepeshkopin Ieronimos.

Vihet në dukje se që nga sot dhe deri në 8 janar funksionojnë njësitë e tregtimit të artikujve sezonalë.

Do të jenë hapur nga ora 07,00 deri 20,30 çdo ditë dhe për shkuarjen në këto njësi do të kërkohet dërgimi i sms në numrin 13033 me përzgjedhjen “3” apo vërtetimi i lëvizjes apo dhe një deklaratë e shkruar me dorë.

Brenda njësive do të respektohen gjithë protokollet shëndetësore për kufizimin e koronavirusit.

Kemi theksuar shumë herë, që po të relaksohemi, do ta paguajmë.

Le ta kapërcejnë lodhjen  dhe të lemë mënjanë vetëkënaqësinë, kështu që të gjithë së bashku, të bashkuar, të fitojmë përfundimisht mbi koronavirusin muajt e ardhshëm.

Bashkë me krishtlindjet e sivjetme që do të jenë ndryshe, vjen edhe shpresa që sjell shkenca, në të gjithë botën, me vaksina të sigurta dhe rezultative.

Me sjelljen tona le ta ulim ngarkesën epidemiologjike në të gjithë vendin, duke fituar kohë që do të na sjellë më afër daljes përfundimtare nga kjo krizë e paparë shëndetësore.

Ndaje me miqte