0030 210 33 18 483

Lufta në Gazë: Netanyahu dhe Biden takohen të martën në SHBA

Tribuna News 21 Korrik 2024

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, do të takohet me presidentin amerikan, Joe Biden, të martën, më 23 korrik, sipas njoftimit nga zyra e liderit izraelit.

Netanyahu pritet të niset nesër drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Takimi i fundit mes dy liderëve u zhvillua në Tel Aviv më 18 tetor, pak pas sulmit nga Hamasi më 7 tetor në jug të Izraelit. Atë ditë, militantët e Hamasit, një grup i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE, vranë mbi 1,200 izraelitë dhe morën peng rreth 240 të tjerë. Rreth 116 pengje besohet se ende ndodhen në Gaza, përfshirë 42 që ushtria izraelite mendon se janë të vrarë.

 

Pas këtij sulmi, Izraeli ka nisur një fushatë në Gaza për të shkatërruar Hamasin. Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit në atë rajon, janë vrarë më shumë se 38,000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

 

Sipas raportimeve në media, diskutimet pritet të fokusohen në përpjekjet për të siguruar një armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve, në këmbim të të burgosurve palestinezë. Ndërkohë, në Izrael po rriten kritikat për udhëtimet e Netanyahut jashtë vendit. Protestuesit kërkojnë që ai të largohet nga vendi vetëm pasi të jetë arritur një marrëveshje për lirimin e pengjeve. Të mërkurën, Netanyahu do t'i adresohet Kongresit Amerikan lidhur me veprimet e ushtrisë izraelite në Gaza.

Marrëdhëniet mes Biden-it dhe Netanyahut konsiderohen të tensionuara, sidomos pas një videoje të publikuar së fundmi nga lideri izraelit, ku ai kritikon ashpër qeverinë amerikane për pezullimin e një pjese të ndihmës ushtarake.

Ndërkohë, Izraeli ka goditur shënjestra të rebelëve Houthi në Jemen, duke vrarë të paktën tre persona dhe plagosur 87 të tjerë, pasi grupi i mbështetur nga Irani goditi Tel Avivin. Shumë prej të plagosurve pësuan djegie të rënda në bombardimet që shënjestruan infrastrukturën e energjisë elektrike dhe të naftës.

 

Këshilli i Lartë Politik i Huthëve reagoi duke thënë se do të ketë “një përgjigje efektive” ndaj sulmeve izraelite. Bombardimet në Jemen u kryen pas më shumë se 200 goditjeve të Huthëve në territorin e Izraelit, duke rritur shqetësimet se lufta në Gaza mund të përhapet më tej në rajonin e trazuar të Lindjes së Mesme.

 

Ndaje me miqte