Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka ulur ndjeshëm pritshmërinë për rritjen ekonomike të Shqipërisë, ku pritet një ngadalësim për shkak të luftës në Ukrainë.
Në raportin e prillit të “Pasqyrës Ekonomike Globale”, të publikuar sot, FMN parashikon që ekonomia shqiptare do të rritet ketë vit me vetëm 2 %, nga 4.5 % që ishte parashikimi në muajin tetor.
Edhe Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kredibilitetit “Moddy’s” rishikoi me ulje parashikimin e saj të rritjes së PBB në përkatësisht 3.4 % dhe 3.6 %, (nga 4.5 % dhe 4.0 % që e kishte më parë), për shkak të ndikimit ekonomik negativ, kryesisht indirekt, të konfliktit ushtarak Rusi-Ukrainë dhe sanksionet ndërkombëtare të vendosura ndaj Rusisë.
Moddy’s rikonfirmoi vlerësimin e ekonomisë shqiptare në “B1 – me perspektivë të qëndrueshme”, në rifreskimin e publikuar së fundmi (13 prill).
Ndërsa sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ekonomia e Shqipërisë pritet të zgjerohet me 3.3 % në vitin 2022, duke u ulur me 0.4 pikë përqindje, në krahasim me projeksionin e muajit nëntor.
INSTAT bëri të ditur se ekonomia shqiptare shënoi një rritje të fortë në vitin 2021, pas tkurrjes për shkak të kufizimeve nga pandemia e COVID-19 në 2020-ën.