0030 210 33 18 483

Më 12janar dhurojmë gjak për bashkëqyetarët tanë

10 Janar 2020

Siç është bërë traditë tashmë, Komuniteti Shqiptar në Greqi organizon më 12 janar fushatën për dhurimin e gjakut.

Fushata do të zgjasë nga ora 10,00 deri 14,00 dhe zhvillohet në zyrat e Komunitetit, rruga Deligjiorgji 55-59, Metaksurgjio, zilja “Alvaniki Koinotita”, kati i katërt.

Është një iniciativë me shumë vlerë, po të marrim parasysh faktin se janë të shumta rastet kur bashkatdhetarë që do të i nënshtroheshin ndërhyrjeve kirurgjikale, kanë përfituar gjak nga banka e Komunitetit Shqiptar.

Procesi i dhurimit të gjakut është shumë i lehtë dhe kryhet nga dhe nën mbikëqyrjen e specialistëve nga spitali shtetëror i Athinës, “Evangjelismos”.

Flakonet me gjak depozitohen në bankën kombëtare të gjakut, në emër të Komunitetit Shqiptar dhe në çdo moment janë të disponueshme për të interesuarit.

Një inciativë e lavdërueshme që ia vlen të mbështetet, pasi secili prej nesh, në një moment të caktuar, është gjendur dhe do të gjendet në një situatë të vështirë shëndetësore, qoftë vetë ai, qoftë të afërmit e tij (nuk e urojmë, por kjo është jeta...).

TV Tribuna

Më poshtë vijon thirrja e komunitetit, drejtuar bashkatdhetarëve:

Qysh prej çeljes së saj, banka e gjakut e komunitetit shqiptar, ka mbështetur dhjetra nevoja urgjente për gjak në të gjithë Greqinë.

Burra, gra, të rinj, të reja dhe fëmijë të përballur me fatkeqësi të papritura, na u drejtuan duke arritur të kryejnë në kohë ndërhyrje urgjente kirurgjikale, të këshilluara për gjendjen e tyre shëndetësore. 

Nevojat janë të mëdha dhe kandidatët dhurues të pakët.

Mbështeteni nismën tonë, që të vazhdojmë të mbështesim nevojat e shumta për gjak.

Procesi zgjat shumë pak dhe koordinohet nga nëpunës specialistë të spitalit shtetëror “Evangjelismos” në Athinë.

Dhurimi i gjakut nuk dhemb dhe nuk i bën keq shëndetit tuaj, përkundrazi, e rigjeneron atë!

Gjak mund të dhurojë kushdo nga mosha 18-60 vjeç (60 vjeç për ata që kanë dhuruar gjatë 5-vjeçarit të fundit dhe deri në 55 vjeç për ata që nuk kanë dhuruar ndonjëherë) dhe që nuk kurohet për sëmundje serioze. Grupi i gjakut nuk ka rëndësi.

Nëse banoni në Athinë:

E diel 12 Janar 2020, ora 10:00 – 14:00. Adresa, pranë Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi: rruga Deligjiorgji 55-59, Metaksurgjio, zilja “Alvaniki Koinotita”, kati i katërt.

Nëse banoni jashtë Athinës:

Vizitoni cilindo spital gjendet në afërsi të banesës tuaj gjatë orarit përkatës dhe ofroni gjak duke përmendur DOMOSDOSHMERISHT që dëshironi të dhurohet për Bankën e gjakut të Komunitetit Shqiptar me numër regjistrimi 14528 (Epithimo i prosfora mou na katahorithei ston arithmo mitroou 14528).

E njëjta gjë vlen dhe për të gjithë ata që dëshirojnë të ofrojnë gjak gjatë gjithë vitit në të gjithë Greqinë, duke përfshirë edhe ishujt.

Për çdo pyetje dhe paqartësi, drejtohuni ne nr. e telefonit 6972192895.

Ejani me ne të dielën 12/01/2020, ora 10:00-14:00!

Të domosdoshme, një dokument identifikimi dhe numri i juaj AMKA.

Të gjithë së bashku, ambasadorë të vlerave më të larta njerëzore!

Ndaje me miqte