Macron: "Nacionalizmi është tradhëtia e patriotizmit"?
TV TRIBUNA
12 Nentor 2018
Liderët e Francës dhe të Gjermanisë kanë bërë thirrje për adoptimin e një përqasjeje kolektive për t’u promovuar paqja botërore, gjatë Forumit për Paqen që u zhvillua në Paris, në ditën përkujtimore të përfundimit të luftës së parë Botërore.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri thirrje për një “aksion kolektiv” me qëllim që të përballohen probleme si terrorizmi islamik, përhapja e armëve bërthamore dhe antisemitizmi.
“Patriotizmi është ekstremi i kundërt i nacionalizmit. Nacionalizmi është tradhëtia e patriotizmit. Duke thënë që mbi çdo gjë janë interesat tona dhe nuk na interesojnë të tjerët, është si të tradhëtojmë ekzistencën tonë dhe vlerat tona morale”, nënvizoi Macron.
“Historia ndodhet në momentin kur po kërcënon të rikthehet në rrjedhën e saj tragjike duke kompromentuar trashëgiminë e paqes që u vulos me gjakun e paraardhësve tanë”, u tha Macron dhjetëra liderëve të botës në Harkun e Triumfit në Paris.
“Ne e dimë çmimin e paqes, ne e njohim peshën e saj dhe ne e dimë se çfarë kërkon ajo”, theksoi ai.
“Më 11 nëntor, pikërisht 100 vite më parë në Paris, ashtu si në të gjithë Francën, ndodhi armëpushimi. Ishte fundi i katër viteve të gjatë dhe të tmerrshëm. Për katër vite Europa rrezikoi të vetëvritej”, nënvizoi Macron në fjalimin e tij, që u mbajt ndërkohë që binte shi dhe që dukej qartë që ishte i emocionuar.
Ndaje me miqte