0030 210 33 18 483

Masat e reja kufizuese për kalimin e kufirit Shqipëri-Greqi dhe anasjelltas

TV TRIBUNA 09 Nentor 2020

Masat kufizuese për kalimin e kufirit ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë janë zgjatur deri në 30 nëntor, madje janë shtuar dhe masa të tjera.

Në gazetën zyrtare është publikuar vendimi i nënshkruar nga 9 ministra të qeverisë Mitsotakis, dhe që në titull, ka lajmin jo të mirë për shtetasit që kalojnë kufirin midis Greqisë dhe Shqipërisë

Vendimi titullohet: mbi vendosjen e masës së kufizimit të përkohshëm të ndërlidhjeve tokësore, ajrore dhe detare të vendit dhe të karantinimit në banesë të personave që vijnë nëpërmjet pikave të kontrollit kufitar Kakavijë dhe Kapshticë, për kufizimin e shtrirjes së koronavirusit Covid 19.

Vendimi i ri përcakton se:

Hyrja në territorin grek përmes pikave tokësore lejohet me kusht që personat të kenë rezultuar negativë në testin për Covid19, të kryer 72 orë përpara mbërritjes së tyre në Greqi dhe të kenë me vete vërtetimin në anglisht mbi rezultatin e testit që duhet të jetë kryer në një nga laboratorët e referencës.

Hyrja lejohet vetëm për qytetarë grekë, mbajtës të lejes së qëndrimit, persona që kanë banesën e tyre të përhershme në Greqi, si dhe persona që vijnë në Greqi për arsye absolutisht të nevojshme profesionale dhe shëndetësore, që dëshmohet nëpërmjet dokumentave përkatëse.

Këta lejohet të hyjnë në Greqi përmes pikave të kalimit kufitar Kakavijë, Kapshticë, Evzones, Nimfea dhe Kipi.

Mbajtës të kartës së homogjenit mund të hyjnë në Greqi nga pikat e kalimit kufitar Kakavijë dhe Kapshticë.

Nga pikat kufitare Kakavijë, Kapshticë, Evzones, Nimfea dhe Kipi, kalimi është i mundur vetëm në intervalin nga ora 07,00 deri në 23,00.

Posaçërisht për Kakavijën lejohet të hyjnë maksimumi 750 persona në ditë dhe për Kapshticën, 300 persona.

Persona që hyjnë në Greqi për arsye profesionale dhe në vazhdim dalin nga Greqia, nuk mund të hyjnë sërish në territorin grek për sa kohë është në fuqi ky vendim i qeverisë.

Qytetarë grekë, mbajtës të lejes së qëndrimit, persona që kanë në Greqi banesën e përhershme dhe mbajtës të kartës së homogjenit që do të dalin nga Greqia pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe të rikthehen brenda afatit që ky vendim është në fuqi, duhet të plotësojnë para daljes formularin PLF në portalin qeveritar travel.gov.gr.

Personat që udhëtojnë drejt Greqisë nëpërmjet pikave kufitare tokësore, pavarësisht shtetësisë, si dhe banorët e përhershëm të Greqisë që udhëtojnë drejt botës së jashtme përmes pikave kufitare tokësore, duhet të plotësojnë formularin PLF, me të dhënat e kontaktit të tyre në Greqi para mbërritjes së tyre në vend, apo nisjes për jashtë dhe të tregojnë në pikat e kontrollit dëshminë e plotësimit të formularit.

KARANTINA

Të gjithë personat që hyjnë në Greqi nga Kakavija dhe Kapshtica janë të detyruar të qëndrojnë të izoluar në banesën e tyre për 7 ditë që nga kalimi i kufirit.

personat që e shkelin këtë masë ndëshkohen me gjobë administrative 5.000 euro.

 

Aeroportet

Fluturimet ndërkombëtare lejohen vetëm nga aeroporti i Athinës Eleftherios Venizelos.

Lejohet të hyjnë në territorin grek vetëm persona që kanë kryer testin e Covid-19 me metodën PCR, 72 orë para mbërritjes. Ata duhet të kenë me vete në anglisht rezultatin negativ të testit që është kryer në një laborator reference të certifikuar. Vërtetimi duhet të përmbajë emrin e mbiemrin dhe numrin e pasaportës apo letërnjoftimit të pasagjerit.

Kompanitë ajrore janë të detyruara të verifikojnë para nisjes nëse pasagjeri i plotëson këto kushte. Në rast të shkeljes, kompanitë detyrohen të realizojnë riatdhesimin e pasagjerit, me shpenzimet dhe përgjegjësinë e tyre.

Gjithashtu, pasagjerët duhet të kenë me vete formularin PLF, të plotësuar një ditë para ardhjes së tyre në Greqi.

Banorët e përhershëm të Greqisë, që udhëtojnë me avion për jashtë shtetit, duhet të plotësojnë formularin PLF para dalës së tyre nga Greqia.

Vazhdon gjithashtu ndalimi i lidhjes detare ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë, me përjashtim të anijeve që transportojnë mallra.

Këto masa janë në fuqi që nga data 9 nëntor deri në 30 nëntor 2020, ora 23,59.

Ndaje me miqte