0030 210 33 18 483

Masat për energjinë, si do të përfitoni kthimin e parave

TV TRIBUNA 06 Maj 2022

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, shpalli një paketë masash për lehtësimin e konsumatorëve nga çmimet gjithmonë në rritje të energjisë.

Paketa, me vlerë 3,2 miliardë euro, do të përballohet krejtësisht nga buxheti i shtetit grek.

Mitsotakis theksoi se Athina do të donte që këto masa të financoheshin edhe nga fonde europiane.

Mirëpo, shtoi, “nuk kam për të pritur derisa transoqeaniku i ngadaltë europian të ndryshojë kurs”.

Masat

1.     Shteti kthen në llogarinë individuale bankare të çdo pronari apo qiramarrësi të banesës së parë, 60% të gjithë vlerës për rritjet e çmimit.

2.     Kompanitë e prodhimit të energjisë elektrike do të taksohen me 90% për fitimet nga rritja e çmimeve dhe këto para do të përdoren për të dëmshpërblyer konsumatorët.

3.     Pavarësisht nga vendimet europiane, qeveria greke, me iniciativën e vet, po në udhë që nga korriku një sistem që i ndan rritjet ndërkombëtare të çmimit të gazit natyror nga faturat e energjisë në Greqi.

4.     Javët e ardhshme fillon programi “Ricikloj – ndërroj pajisje” që subvencionon heqjen e kondicionerëve dhe frigoriferëve të vjetër që shpenzojnë shumë energji.

Subvencionimi i energjisë do të jetë 56,6 euro për faturat familjare dhe 120 euro për faturat e bizneseve, bëri të ditur ministri i energjisë, Kostas Skrekas, gjatë specifikimit të masave që shpalli kryeministri.

Ministri e ilustroi me shembuj prezantimin:

Për muajin maj, faturë familjare me konsum 300 kWh në muaj.

Pa subvencionimin do të paguante për korrentin 100 euro; me subvencionimin do të paguajë 43,5 euro, pra ulja në faturë shkon në 56,5%.

Faturë familjare me konsum 400 kWh në muaj. Pa subvencionimin do të paguante 129,2 euro; me subvencionimin do të paguajë 63,6 euro, pra një ulje 51%.

Për konsum 600 kWh në muaj. Pa subvencionimin do të paguanin 193,2 euro, ndërsa me subvencionimin do të paguajnë 108,2 euro, ulje 44%.

 

Shteti do të kthejë nga 18 deri në 600 euro

Masa e kthimit të parave ka të bëjë me muajt që ka dalë fatura dhe jo me muajt kur është bërë konsumimi i energjisë.

Përfitues janë familjet me të ardhura vjetore deri 45.000 euro.

Kthimi i parave bëhet në rast se kanë më shumë se 30 euro rritje në faturat e tyre, shuma minimale është 18 euro dhe ajo maksimale 600 euro.

Të interesuarit do të aplikojnë në platformën elektronike që do të aktivizohet vetëm për këtë qëllim, ditët e ardhshme.

N[ë platformë do të deklarohet numri i matësit të energjisë dhe llogaria bankare ku do të depozitohen paratë që i takojnë për t’u kthyer nga fatura e fryrë.

Ndaje me miqte