Mbetet në burg Eva Kaili, nënkryetarja e Parlamentit Europian
TV Tribuna
11 Dhjetor 2022
Një nga 14 nënkryetarët e Parlamentit Evropian, deputetja greke Eva Kaili, është arrestuar në lidhje me hetimet për korrupsion në Belgjikë.
”Janë kryer 16 kontrolle në Bruksel për këtë rast dhe pesë persona janë arrestuar”, sipas Zyrës së Prokurorit Publik të Brukselit.
Menjëherë pas publikimit të lajmit, zonja Kaili u përjashtua nga grupi parlamentar i socialistëve dhe demokratëve, si dhe nga partia e vet, PASOK.
Gjithashtu, presidentja e parlamentit Europian, Roberta Mecola, e ka pezulluar nga gjithë funksionet e saj parlamentare.
Katër të arrestuarit e tjerë janë italianë: Francesco Giorgi me të cilin bashkëjeton zonja Kaili, Pier Antonio Panceri, ish eurodeputet në vitet 2004-2019, sekretari i përgjithshëm i Federatës ndërkombëtare të Sindikatave (ITUC), Luca Vincentini dhe Nicolo Figa Talamnca, president i OJQ “No Pace Without Justice”.
Gjatë 16 kontrolleve të kryera në Bruksel u sekuestruan 600.000 euro cash. Kompjutera dhe telefona celularë gjithashtu u sekuestruan.
Hetuesit dyshojnë se një shtet i Gjirit influenconte në favor të tij për shumë muaj, vendimet politike dhe ekonomike të parlamentit Europian deklaroi një përfaqësues i grupit hetimor.
Sipas raportimeve të mediave, rasti ka të bëjë me Emiratin Arab të Katarit.
Më 21 nëntor, Eva Kaili mbajti një fjalim në parlament mbi Kupën e Botës të futbollit në Katar, duke thënë se ngjarja ishte “provë sesi diplomacia sportive mund të arrijë një transformim historik në një vend me reforma që frymëzuan botën arabe”.
Ajo e quajti gjithashtu emiratin, i cili ka tërhequr kritika të ashpra ndërkombëtare për trajtimin e punëtorëve emigrantë, ndër të tjera, “një lider në të drejtat e punës”.
Politikania greke ka qenë deputete e Parlamentit Evropian që nga viti 2014 dhe nënkryetare e këtij organi që nga viti 2022.
Më herët ajo ka punuar si gazetare dhe spikere lajmesh në televizionin Mega Channel.