0030 210 33 18 483

Mbyllur deri në 15 maj qendrat e shërbimit të emigrantëve

TV Tribuna 09 Prill 2020

Mbyllur deri në 15 maj qendrat e shërbimit të emigrantëve
Koronavirusi do të vazhdojë t'i mbajë mbyllur edhe një muaj tjetër qendrat e pritjes dhe shërbimit të emigrantëve.
Të enjten pasdite, ministria e emigracionit ka njoftuar gjithë instancat vartëse se pezullimi i punës me publikun do të zgjatet deri më 15 maj.
"Është nënshkruar dhe pritet të publikohet në Fletoren Zyrtare vendimi që shtyn periudhën e pezullimit të pritjes dhe shërbimit të publikut deri të premten, më 15 maj", thuhet në shkresën "tepër urgjente".
Fillimisht puna në qendrat e emigracionit ishte pezulluar per periudhën nga 12 mars deri më 12 prill. 
Sa i përket lejeve të qëndrimit që duhej të rinovoheshin brenda periudhës që qendrat janë të mbyllura, që para dhjetë ditësh në Fletoren Zyrtare është publikuar vendimi i ministrit të emigracionit, Notis Mitarakis.
Sipas këtij vendimi,  lejet mund të rinovohen deri edhe pesë muaj nga data e skadimit, domethënë, deri në 12 tetor 2020.
Në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare, thuhet shprehimisht:
Lejet e qëndrimit që kanë skaduar nga 11 shkurti 2020 deri më 11 mars 2020, si dhe ato që skadojnë për periudhën nga 12 marsi deri më 12 maj, mund të rinovohen deri edhe pesë (5) muaj nga data e skadimit, domethënë deri më 12 tetor 2020.
Vërtetimet e aplikimit për leje qëndrimi dhe vërtetimet e posaçme të qëndrimit të ligjshëm (idiki veveosi nomimis diamonis), që skaduan deri më 12 mars 2020 dhe që ishte i mundur rinovimi i tyre, si dhe ato që skadojnë nga 13 marsi deri më 12 maj, mund të rinovohen deri edhe pesë (5) muaj nga data e skadimit, domethënë deri më 12 tetor 2020.
Vendimi gjithashtu përcakton se:
Për periudhën nga data e skadimit të lejeve të qëndrimit dhe vërtetimeve, deri në momentin e aplikimit për rinovimin e tyre, konsiderohet se ato janë të shtyra automatikisht. Vlefshmëria e këtyre titujve të qëndrimit do të fillojë datën e nesërme që nga skadimi i tyre.
Vendimi përfshin edhe ata emigrantë që kanë aplikuar për leje qëndrimi fillestare:
Shtetasit nga vende të treta që janë të detyruar për periudhën nga 12 marsi deri më 10 prill 2020 të paraqesin aplikimin për leje qëndrimi fillestare apo buletin qëndrimi (deltio diamonis), në bazë të vizës së hyrjes, kanë mundësinë që ta paraqesin aplikimin më e vona deri në 10 maj 2020.
 

Ndaje me miqte