0030 210 33 18 483

Media greke: "Bravo, shqiptarëve të Haniasë"

Tribuna TV 13 Shtator 2018

Komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Hania të Kretës i ka treguar edhe një herë vlerat e veta: Ka mbajtur premtimin e dhënë për të lyer falas shkollën në Krisopigi, ku ndodhet dhe klasa e mësimit të gjuhës shqipe.

Këtij veprimi i kanë bërë jehonë edhe mediat lokale,që kanë thënë një “Bravo” për shoqatën e drejtuar nga Afrim Avdija.

Një nga portalet më të njohura në ishullin e Kretës, por edhe më gjerë, “Zarpia news”, shkruan ndër të tjera:

“E thanë dhe e bënë pjesëtarët e Komunitetit Shqiptar në Hania, që lyen falas fasadën e gjimnazit “Elefterios Venizelos” në Krispopigi, para fillimit të vitit shkollor.

Banorët me origjinë shqiptare të Haniasë, në shenjë mirënjohjeje për dhënien nga ana e shkollës të klasës ku zhvillohet mësimi i gjuhës shqipe, kishin premtuar shkurtin e kaluar dhe e bënë realitet, duke lyer fasadën dhe kryer meremetime në ambiente të ndryshme të godinës, pa pranuar që të shpërblehen për punën e tyre.

Përgjigje ndaj ksenofobëve dhe ekstremistëve

Gjimnazi i Krisopigisë u bë i njohur në mbarë opinionin publik grek për shkak të incidenteve që shoqëruan fillimin e mësimeve në gjuhën amtare për fëmijtë e emigrantëve shqiptarë.

Gjatë janarit dhe shkurtit të këtij viti, grupe ekstremistësh, u përpoqën disa herë të pengonin fillimin e mësimeve. Herë duke kyçur me dryna të tyre portën e jashtme të shkollës, e herë duke prishur e hedhur vajra makinash në klasën ku do të zhvillohej mësimi i shqipes.

Pas njerit prej këtyre incidenteve, kryetari i shoqatës, Afrim Avdiaj, kishte deklaruar për mediat vendase:

“Ne kemi vetëm qëllimin e mirë që fëmijtë tanë të mësojnë gjuhën amtare. Ne çdo herë do ta dorëzojmë shkollën të pastër. I kemi dhënë fjalën drejtorit të gjimnazit se gjithë meremetimet që ka nevojë shkolla do t’i marrim përsipër ne, komuniteti shqiptar. Sot këtu janë regjistruar 45 fëmijë në mësimin e gjuhës shqipe. Ndoshta për shkak të ngjarjeve të fundit disa prindër mund të ngurrojnë që t’i sjellin fëmijtë, por besoj se gjithçka do të shkojë mirë”, kishte deklaruar atëherë zoti Avdiaj.

Me këmbënguljen e shoqatës dhe të pjaeëtarëve rtë saj, por edhe me mbështetjen e këshillit pedagogjik, mësimet vazhduan normalisht dhe tashmë po bëhen gati për vitin e ri shkollor.

Organizata e Shqiptarëve të Kretës përbën një nga shembuj të më të mirë konkretë, të imponimit pozitiv të komunitetit të bashkatdhetarëve ndaj shoqërisë dhe autoriteteve vendase, që i shohin e i trajtojnë shqiptarët si partnerë.

Një shembull që mendojmë se duhet të frymëzojë secilin prej nesh.

Ndaje me miqte