Meloni gazetarja e shndërruar në kryeministre
ATSH
23 Tetor 2022
ROMË, 22 tetor /ATSH-AFP/ – Politikania italiane e ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni u betua sot si kryeministre e re e Italisë duke u shndërruar në gruan e parë në historinë e vendit që mban këtë post.
Meloni dhe ministrat e saj, të cilët kanë formuar qeverinë më të djathtë dhe më euroskeptike të Italisë që nga viti 1946, u betuan në pallatin presidencial, ”Quirinale”, në Romë.
Ceremonia nën arin e këtij pallati me pamje nga Roma, rezidencë e papëve dhe mbretërve të Italisë përpara se të bëhej selia e Presidencës së Republikës, u zhvillua në prani të kreut të shtetit, presidentit Sergio Mattarella.
Meloni, e veshur me një kostum të zi, ishte e para që bëri betimin, e ndjekur nga dy zëvendëskryeministrat e saj nga dy partitë partnere në koalicionin e saj, Matteo Salvini dhe Antonio Tajani.
Të gjithë ndoqën njëri-tjetrin përpara përpara presidentit Mattarella për të shqiptuar, në këmbë, betimin tradicional që thotë “Betohem t’i jem besnik Republikës, të respektoj me besnikëri Kushtetutën dhe ligjet dhe të ushtroj funksionet e mia në interesin ekskluziv të kombit”.
Nga 24 ministra, vetëm gjashtë janë gra, të kufizuara në portofolë të vegjël.
Në fakt, Meloni dhe partia e saj janë trashëgimtarët e Lëvizjes Sociale Italiane (MSI), një parti neofashiste e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore nga e cila mori drejtimin, në themelimin e ”Fratelli d’Italia”, në fund të vitit 2012, ku si logo shërben një flakë trengjyrëshe.
Në moshën 19-vjeçare, ajo i tha kanalit francez ”France 3” se ”diktatori Benito Mussolini ishte një politikan i mirë”.
Ajo ende e pranon sot se Musolini kishte “arritur shumë”, pa e shfajësuar atë nga “gabimet” e tij si ligjet antihebreje dhe fillimin e luftës.
Por, ajo thotë gjithashtu se në partinë e saj ”nuk ka vend për nostalgjikët e fashizmit, as për racizmin dhe antisemitizmin”.
“Unë jam e krishterë”
E lindur në Romë më 15 janar 1977, Giorgia Meloni u bë aktiviste në moshën 15-vjeçare në shoqatat studentore të klasifikuara në të djathtën, ndërkohë që punonte si kujdestare apo kameriere.
Në vitin 1996, ajo u bë kryetare e një shoqate të shkollave të mesme ”Azione Studentesca”, emblema e së cilës është kryqi kelt.
Në vitin 2006, ajo u bë deputete dhe nënkryetare e Dhomës së Deputetëve.
Dy vjet më vonë, ajo u emërua ministre e Rinisë në qeverinë e Silvio Berlusconit.
Kjo është përvoja e saj e vetme në qeveri.
Më pas ajo frekuenton me zell televizionet.
Rinia e saj, guximi, formulat e saj e bënë atë një kliente të mirë për median. Ajo e kupton që, të paktën po aq sa idetë, josh edhe personaliteti i një gruaje të re dhe bionde bukuroshe, në një Itali ende seksiste.
Motoja e saj?
”Zoti, atdheu, familja”.
Prioritetet e saj?
Mbyllni kufijtë për të mbrojtur Italinë nga islamizimi, rinegocioni traktatet evropiane në mënyrë që Roma të rimarrë kontrollin e fatit të saj, luftoni kundër “lobeve LGBT” dhe “dimrit demografik” të vendit, mosha mesatare e të cilit është më e larta në botën e industrializuar, pak prapa Japonisë.
Në vitin 2016, ajo denoncoi “zëvendësimin etnik që po ndodh në Itali”, në unison me formacionet e tjera evropiane të ekstremit të djathtë.
“Meloni përfaqëson një pikë referimi për protestë dhe pakënaqësi”, thotë Sofia Ventura, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin e Bolonjës.
”Unë jam Giorgia, jam grua, jam nënë, jam italiane, jam e krishterë”, u tha ajo mbështetësve të saj në 2019 në Romë gjatë një fjalimi të zjarrtë që u bë i famshëm.
Giorgia Meloni, e cila jeton me një gazetar televiziv, ka një vajzë të lindur në vitin 2006.
Kjo oratore e talentuar që di të flasë me italianët duke kultivuar theksin e saj popullor tipik për Romën, mund të jetë gjithashtu e brishtë, por edhe agresive.
Dhe ndonjëherë bie në shije të keqe, si në një video të postuar të dielën në TikTok ku ajo shfaqet me dy pjepra në duar në nivelin e gjoksit, në lidhje me mbiemrin e saj.
Në fund të vitit 2012, e lodhur nga mosmarrëveshjet që gllabëronin të djathtën, ajo themeloi ”Fratelli d’Italia” me disidentë të tjerë të berlusconizmit.
Kur Mario Draghi, ish-guvernator i Bankës Qendrore Evropiane, formoi një kabinet të unitetit kombëtar në shkurt 2021 për të nxjerrë Italinë nga kriza shëndetësore dhe ekonomike, ajo dhe partia e saj ishin të vetmet që refuzuan të merrnin pjesë.
“Italia ka nevojë për një opozitë të lirë”, tha ajo më pas.
Është në emër të kësaj lirie, sinonim i sovranitetit, që kjo atlantiste denoncoi pushtimin rus të Ukrainës që në ditën e parë.
Ndaje me miqte