0030 210 33 18 483

Merkel "?? Mitsotakis diskutojnë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

TV TRIBUNA 29 Gusht 2019

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, kanë diskutuar në Berlin edhe për Shqipërinë. Këtë detaj e ka dhënë vetë zonja Merkel, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, me  mysafirin nga Athina.

Menuja e takimit Merkel – Mitsotakis, ka pasur edhe paksa nga Ballkani Perëndimor.

Siç rezulton nga deklaratat e tyre, ata janë ndalur veçmas te secili prej vendeve që po negocion apo aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian.

“Folëm për çështjen e zgjerimit të BE, domethënë negociatat për anëtarësim të Serbisë, të malit të Zi, por edhe për të ardhmen e negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë”, tha zonja Merkel.

“Do të ketë një sërë aspektesh të përbashkëta në marrëdhëniet tona dypalëshe që do t’i përpunojmë më tej dhe do t’i zbatojmë”, shtoi në mënyrë enigmatike kancelarja gjermane.

Mitsotakis është kryeministri i pestë grek që viziton berlinin që nga fillimi i krizës në Greqi.

Por sot kushtet kanë ndryshuar dhe kancelarja Merkel deklaroi që axhenda ekonomike tashmë mund të realizohet më lehtësisht.

“Është bërë shumë progres, klima është përmirësuar dhe shtytja që i është dhënë Greqisë është shumë e rëndësishme”, shtoi zonja Merkel.

Përtej bashkëpunimit ekonomik dhe shtimit të investimeve gjermane, që kërkoi zoti Mitsotakis, duket se në fokus të bisedimeve ka qenë më shumë çështja e emigracionit dhe e menaxhimit të flukseve të refugjatëve.

Berlini e Athina ndajnë të njëjtin mendim për aktivizimin më të madh të BE në përballimin e këtij problemi. Por kancelarja Merkel vërejti se ende jemi larg arritjes së një zgjidhjeje të duhur”.

Sa i përket marrëveshjes së Prespës, Mitsotakis shprehu edhe një herë rezervat e veta:

“Kancelarja i di pikëpamjet e mia që Marrëveshjea e Prespës është një marrëveshje me defekte serioze. Mirëpo janë defekte që mund të zbuten përmes perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor”.

Ndaje me miqte