Merkel: Në mars Shqipërisë duhet t"??i hapen negociatat
TV TRIBUNA
28 Janar 2020
Gjermania dëshiron që samiti i radhës i Bashkimit Europian të arrijë marrëveshje për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Kështu deklaroi kancelarja gjermane Angela Merkel, duke shtuar se ajo personalisht do të ushtrojë presion në këtë drejtim.
“Mbi të gjitha, duam të konkludojmë në marrëveshje në Këshillin Europian në muajin mars për të filluar negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe gjithashtu me Maqedoninë e Veriut”, deklaroi kancelarja Merkel në konferencën për shtyp pas takimit me kryeministrin shqiptar Edi Rama.
“Të dy këto vende kanë arritur shumë”, vazhdoi zonja Merkel.
“Tani do të punojmë fort që të arrijmë rezultatet e dëshiruara”, shtoi kancelarja gjermane.
Angela Merkel shtoi se për arsye gjeopolitike është në interes të vetë Europës që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në Bashkimin Europian dhe theksoi se ka më shumë arsye në favor të promovimit të këtij procesi, se sa kundër.
Sa i përket më konkretisht Shqipërisë, kancelarja gjermane iu referua reformave që janë zbatuar në fushën e drejtësisë.
Ajo gjithashtu iu referua tërmetit vrastar të 26 nëntorit dhe shprehu kënaqësinë për gatishmërinë dhe solidaritetin që treguan vendet anëtare të BE-së, por edhe ato të rajonit.
“E ndiej veçanërisht të nevojshme që me rastin e këtij takimi të kujtoj tërmetin e nëntorit të vitit të kaluar. Shumë, shumë njerëz humbën shtëpitë, pati mbi 50 viktima dhe gëzohem që Komisioni Evropian ka thirrur në një konferencë donatorësh, më 17 shkurt, për të çuar përpara rindërtimin dhe në këtë konferencë donatorësh do të marrë pjesë edhe Gjermania", tha kancelarja Merkel dhe shtoi: "Bashkëpunimi dhe ndihma në rajon ishin impresionuese, e megjithatë ishte një goditje e rëndë për Shqipërinë".
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, tha se kishte ardhur të fliste për konferencën e donatorëve dhe nevojën e madhe që Shqipëria ka për të gjetur mbështetjen e gjithë miqve dhe partnerëve në procesin e rindërtimit.
Rama tha se raporti i dëmeve që po përllogaritet nga BE, OKB dhe Banka Botërore, përmban një shumë që është përtej të gjitha mundësive tona për ta përballuar të vetën.
Siç njofton Deutsche Welle, siipas një bisede joformale të kryeministrit Rama dhe ministrit të jashtëm italian, shuma e deritanishme e përllogaritur nga dëmet tërmetit është afërsisht një miliardë euro.
Ndaje me miqte