0030 210 33 18 483

Merkel-Ramës: Vlerësoj reformat e kryera, vendimi, javët e ardhshme

Tribuna TV 25 Prill 2018

Kryeministri Edi Rama është pritur sot në Berlin nga kancelarja Angela Merkel. Zëdhënësi i Angela Merkel, Steffen Seibert ka postuar në Twitter foto nga ky takim.

“Kancelarja Merkel takohet me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama”, bën të ditur zëdhënësi i qeverisë gjermane, duke shtuar se në takim Merkel ka inkurajuar vazhdimin e reformave.

Rama dhe Merkel dolën në një konferencë të përbashkët për mediat. Merkel është shprehur se Shqipëria ka bërë progres, ndërsa thotë se do të vendoset në ditët në vijim sa i përket negociatave.

Kancelarja gjermane ka deklaruar se mbështetet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe se Gjermania mbetet e angazhuar për rajonin. Për këtë arsye, ajo përmend Samitin e Ballkanit Perëndimor që mbahet më 17 maj, duke falënderuar presidencën bullgare për angazhimin për rritjen e vëmendjes ndaj rajonit.

Duke u ndaluar tek çelja e negociatave, Merkel thotë se Këshilli Evropian do të diskutojë në fund të qershorit për këtë çështje.

Merkel: Ka një numër parakushtesh për të hyrë në negociatat e pranimit. Shqipëria ka punuar shumë për disa reforma. Ekzistojnë disa kushte për fillimin e negociatave të pranimit. Ne do të japim opinionin tonë përfundimtar gjatë javëve të ardhshme nëse ka ende gjëra për të bërë, nëse ka progres të mjaftueshëm dhe gjithashtu ta diskutojmë këtë me homologët tanë evropianë.

Ajo thotë se takimi me kryeministrin Rama është i rëndësishëm pasi mund të mësojë se si e sheh ai zbatimin e parakushteve të ndryshme të reformave dhe për mënyrën se si mund të vazhdohet me mbështetjen ndaj Shqipërisë.

Merkel: Më lejoni të them në mënyrë eksplicite se Shqipëria ka nisur projekte të rëndësishme reformash dhe se është bërë përparim. Unë përmend këtu shqyrtimin e disa qindra gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për shembull, biseduam për këtë gjatë vizitës së fundit. Kjo gjithashtu forcon sistemin ligjor në tërësinë dhe besueshmërinë e vet. Ne e dimë se tani kontrolli duhet të zgjerohet edhe në polici. Vetëm mund ta inkurajoj Kryeministrin të vazhdojë në këtë rrugë.

Ka fusha të tjera për të cilat do të flasim, sundimi i ligjit në përgjithësi, por edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithmonë pajtohemi se nuk mund të bëjmë ndonjë favor, pasi në fund të fundit, kjo është me rëndësi të madhe për Shqipërinë dhe popullin e saj. 

Kjo gjithashtu krijon mundësi për rritje ekonomike. Kjo krijon potencial për besim dhe besueshmëri, për investitorët. Kjo krijon mundësi për të ardhmen e të rinjve.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama theksoi se ka rezultate inkurajuese në lidhje me zbatimin e ligjit të Vettingut, ndërsa shtoi se shpreson tek mbështetja e Gjermanisë dhe e kancelares Merkel në fund të qershorit për çeljen e negociatave. 

"Është shumë e qartë për ne se ky nuk është fundi. Ky është fundi i një faze dhe hapja e një faze tjetër. Ka shumë reforma, shumë sfida dhe shumë sakrifica na presin", tha Rama.

Ndaje me miqte